Donald Trump ka vijuar spastrimet brenda administratës së tij, duke shkarkuar drejtorin e përkohshëm të Shërbimit të Emigracionit dhe Doganave (ICE), Caleb Vitello, të emëruar më parë nga vetë ai. Sipas mediave amerikane, shkak për këtë vendim është bërë pakënaqësia me ritmin e ngadaltë të dëbimeve të emigrantëve.
Shkarkimi i Vitellos vjen pas largimit të dy zyrtarëve të tjerë të lartë të ICE në fillim të muajit, ndërsa pritet që administrata të emërojë së shpejti një drejtues të ri dhe të shtojë stafin për çështjet e emigracionit, shkruan Wall Street Journal. Trump dhe Tom Homan, i cili është përgjegjës për zbatimin e planit të dëbimeve masive, janë të pakënaqur me rezultatet e ICE pas muajit të parë të qeverisjes, duke vendosur madje edhe kuota minimale arrestimesh për emigrantët pa dokumente (75 arrestime në ditë për çdo zyrë).
Administrata synon të hapë një qendër të re deportimi në Fort Bliss, pranë El Pasos, me kapacitet për të mbajtur 10 mijë persona gjatë procesit të dëbimit, si dhe të krijojë qendra të tjera paraburgimi në të gjithë vendin.
Ndërkohë, Trump ka njoftuar ndryshime edhe në krye të ushtrisë amerikane. Gjenerali Charles Brown, i cili u emërua nga Trump në fund të mandatit të tij të parë dhe ishte afroamerikani i parë në një pozicion kyç në Pentagon, do të zëvendësohet nga Dan Caine, një pilot dhe ekspert i sigurisë kombëtare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




