Nga Gazeta ‘Si’- Administrata Trump i ka dorëzuar Ukrainës një draft “të përmirësuar” të marrëveshjes për mineralet, pasi Volodymyr Zelensky refuzoi propozimin fillestar.
Lajmin e raportoi Axios, duke cituar burime amerikane dhe ukrainase.
Disa nga ndihmësit e Zelenskyt po i kërkojnë atij të nënshkruajë propozimin e përditësuar për të shmangur përplasjet e mëtejshme me Trump, i cili ka shprehur pakënaqësinë me refuzimin fillestar të liderit ukrainas.
Më herët, ishte këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Mike Waltz, që i bëri thirrje Ukrainës të heqë dorë nga kritikat e saj ndaj SHBA-së, e cila po përpiqet të arrijë një marrëveshje të pranueshme reciprokisht për t’i dhënë fund luftës.
“Ata duhet të ulin tonet dhe ta shohin mirë dhe ta nënshkruajnë këtë marrëveshje”, tha Waltz për Fox News, duke iu referuar një marrëveshjeje për mineralet.
“Rezistenca nga Ukraina për marrëveshjen dhe kritika për mënyrën se si Trump po kryen bisedimet e paqes është thjesht e papranueshme”, theksoi Waltz, duke nënvizuar se duhet pasur parasysh gjithçka që Shtetet e Bashkuara kanë bërë për Ukrainën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




