Nga Gazeta ‘SI’ – Në nevojë për likuiditet, 2 vite më parë, qeveria i kërkoi qytetarëve të investonin në Bonot e Thesarit në një fushatë intensive, por sot duket se nuk ka më nevojë për këto para.
Në raportin e Politikës Monetare të Bankës së Shqipërisë, analizohet se qeveria s’ka nevojë për para dhe kjo është arsyeja pse yield-et e Bonove dhe Obligacioneve shënuan rënie edhe në fund të vitit 2024 duke mbajtur një nivel shumë pranë normës bazë të interesit.

“…prirja e yield-eve, në këtë periudhë, pasqyron presionet minimale të likuiditetit në treg. Ecuria e yield-eve është përcaktuar nga mungesa e presioneve në financim nga ana e qeverisë, e shoqëruar dhe me kërkesën e lartë të bankave në ankandet e tregut primar”, thuhet në raport.
Në tre muajt e fundit të vitit, yield-i i Bonove 12-mujore zbriti në 2.8% nga 3.2% që ishte në periudhën paraardhëse.
Kurba e yield-eve është zhvendosur poshtë, në linjë me uljet e normës bazë, por edhe duke u shfaqur më pak e pjerrët krahasuar me një vit më parë.

Në vitin 2024, shqiptarët investuan 54.8 mld lekë në borxhin e qeverisë, nga 40 mld që ishte një vit më parë. Por Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, AMF, raporton se numri i transaksioneve ka rënë me 28% dhe janë kryer vetëm 9.891 transaksione, duke treguar se është rritur vlera e tyre.

Për të njëjtën periudhë raportohet një rritje e pashpjegueshme e investitorëve të huaj që blejnë borxhin shqiptar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




