Katër vite dhe dy vendime gjykatash nuk e kanë zgjidhur dot konfliktin që vazhdon prej 10 Janarit të vitit 2021 mes Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Komitetit Olimpik Shqiptar. Gjithcka nisi me Asamblenë e KOKSH, organizimin dhe vendimet e të cilës i sulmoi FSHF që reagoi për mungesën e njoftimin në kohën e duhur nga KOKSH dhe pjesëmarrjen e personave që nuk ishin anëtarë. Gjithashtu FSHF nuk njohu vendimet e marra nga ajo Asamble ku u shkarkua ish Presidenti Viron Bezhani dhe u emëruan anëtarë të rinj në Komisionin e Verifikimeve. Çështja mes dy organeve sportive në vend përfundoi në Gjykatën e Shkallës së Parë e cila njohu vendimet e Asamblesë së KOKSH.

Sipas FSHF, çështja shkoi në CAS në Lozanë me dakordësinë edhe të KOKSH. Gjykata në Zvicër gjeti në kundërshtim me statutin, vendimet e Asamblesë së KOKSH dhe i quajti të drejta pretendimet e FSHF. Mirëpo kur pritej zbatimi i vendimeve të CAS, një tjetër proces zhvillohet në Gjykatën e Apelit në Tiranë e cila zmbrapsi pretendimet e FSHF dhe la në fuqi vendimet e Gjykatës së Shkallës së parë që njohu Asamblenë e KOKSH. Pas njoftimit të dhënë në rrjetet sociale nga KOKSH, reagoi dhe FSHF e cila kundërshton zgjedhjen e Fidel Yllit në krye të KOKSH dhe krijimin e Gjykatës Sportive Shqiptare. Si dhe konfirmon që do të kërkojë ndihmën e FIFA-s, UEFA-s dhe gjykatave evropiane për mbrojtjen e rendit sportiv në vend.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




