Nga Bundesliga, duke kaluar në La Liga për të përfunduar në Premier League. Më shumë se 70 vite në një skuadër për 5 futbollistë unikë në historinë e këtij sporti. Ata janë ende në aktivitet, jo të gjithë aty ku e nisën ditën e parë por nuk tregojnë asnjë shenjë se do të tërhiqen, të paktën në të ardhmen e afërt. Titujt janë të shumtë për dikë, minimalë për një tjetër. Kanë pasur mundësi të transferohen dhe të përfitojnë kontrata multimilionere, por kanë refuzuar për tu përjetësuar në histori.

Dy të parët janë Thomas Muller (Bayern) dhe Jorge Resurrección Merodio i njohur si Koke (Atletico Madrid). 16 vite e 7 muaj në skuadrat përkatëse dhe me një vlerë financiare minimale aktuale, 6 milionë euro kushton gjermani, 4 më shumë spanjolli. 32 tituj në 736 ndeshje për Muller dhe vetëm 9 në 671 për Koke. Kontratat e tyre skadojnë në fundin e këtij sezoni por lojtarët nuk e fshehin dëshirën për të vazhduar. “Quintet-in” e jetëgjatëve në një skuadër e plotësojnë Manuel Neuer (Bayern), Jamie Vardy (Leicester City) dhe Luka Modric (Real Madrid). Portieri gjerman luan prej 13 vitesh e 7 muajsh në Mynih (u transferua nga Schalke 04) dhe së fundi rinovoi deri në Qershor 2026.

Kushton 4 milionë euro, ka luajtur 549 ndeshje dhe fituar 29 trofe. Sulmuesi anglez i ka premtuar besnikëri Leicester City-t, si skuadra që i besoi në një moment kur askush se bëri. Ekzaktësisht një vit më pak se Neuer te Bayern, Vardy ka fituar 5 trofe në 487 ndeshje dhe nuk u largua as pas titullit kampion në Premier League. Pasi u formua te Dinamo Zagreb dhe spikati te Tottenham, Modric mbërriti në Madrid ku luan prej 12 vitesh e 5 muajsh. 571 ndeshje për 28 trofe në një karrierë që teorikisht duhet të përfundojë në fund të këtij sezoni. Por si ai dhe Vardy, kanë konfirmuar që duan të vazhdojnë…
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




