Gazeta Si – Këshilli Kombëtar i Sigurisë dhe Mbrojtjes së Ukrainës, një organ këshillimor që i raporton presidentit, ka vendosur sanksione ndaj Petro Poroshenkos, kreut të partisë opozitare Solidariteti Evropian.
Poroshenko, i cili ishte president midis 2014 dhe 2019, konfirmoi lajmin, të publikuar fillimisht nga “Forbes Ukraine”, në një video në të cilën ai e përcaktoi vendimin për sanksionet si “jo-kushtetues”, “të motivuar politikisht” dhe të kërkuar drejtpërdrejt nga presidenti aktual i Ukrainës, Volodymyr Zelenski.
Për momentin nuk dihet se çfarë konsistojnë saktësisht sanksionet e vendosura ndaj Poroshenkos dhe as arsyeja. Sipas “Forbes Ukraine”, sanksionet mund të lidhen me një akuzë për tradhti.
Poroshenko u zgjodh për herë të parë në vitin 2014, menjëherë pas aneksimit të paligjshëm të Krimesë nga Rusia dhe ishte presidenti i viteve të para të luftës kundër separatistëve të Donbass, një rajon në Ukrainën lindore në të cilin ndodhen republikat e vetëshpallura të Donetskut dhe Luhanskut.
Në vitin 2019, ai humbi zgjedhjet ndaj Zelenskit. Që atëherë, më shumë se njëzet çështje penale janë hapur kundër Poroshenkos, duke përfshirë një për tradhti për vendosjen e lidhjeve ekonomike me separatistët në Donbass të pushtuar nga Rusia.
Asnjë nga këto procese deri më tani nuk ka çuar në një dënim dhe kjo është edhe arsyeja pse Poroshenko foli për “gjyqe politike” kundër tij që do të kryheshin nga Zelenski, i akuzuar se donte të shfrytëzonte krizën aktuale të shkaktuar nga pushtimi rus për të forcuar udhëheqjen e tij të brendshme.
Mbrëmë, Zelenski parashikoi që Këshilli i Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes kishte marrë një vendim që do të bëhej publik sot, duke thënë se “miliardat e fituara nga shitja e Ukrainës, interesat e Ukrainës, siguria e Ukrainës, duhet të bllokohen dhe të përdoren për të mbrojtur Ukrainën dhe ukrainasit”, megjithatë pa iu referuar Poroshenkos.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




