Gazeta Si – Sipas disa zyrtarëve amerikanë dhe ukrainas të intervistuar nga gazeta “New York Times”, ushtria ruse ka tërhequr ushtarët koreano-veriorë që po luftonin përkrah saj në frontin kundër Ukrainës në rajonin e Kurskut.
Në nëntor, Koreja e Veriut dërgoi rreth 11,000 ushtarë në Rusi për të ndihmuar trupat ruse në rajonin e Kurskut, të pushtuar nga Ukraina.
Pak ditë më parë komandanti i ushtrisë ukrainase Oleksandr Syrsky tha se në tre muaj, rreth gjysma e tyre janë vrarë ose plagosur: të tjerët nuk janë parë në front për rreth dy javë, thanë personat e intervistuar nga “New York Times”, të cilët kërkuan të flisnin në mënyrë anonime për shkak të konfidencialitetit të informacionit të inteligjencës.
Kohët e fundit, disa burime ushtarake ukrainase kishin pohuar se ushtria ruse ua kishte transferuar luftimet në rajonin e Kurskut pothuajse tërësisht ushtarëve të Koresë së Veriut, me rolin e trupave mësymëse.
Problemi është se pavarësisht se janë të trajnuar më mirë se rusët, ushtarët e Koresë së Veriut janë shumë të papërgatitur për kushtet e luftës në vazhdim, dhe duke mos folur rusisht, ata priren të luftojnë vetë.
Sipas burimeve ukrainase, kjo i shtyu ata të bënin gabime të rënda, për shembull, të lëviznin në grupe prej 40-60 vetësh, duke tërhequr zjarrin e artilerisë dhe për rrjedhojë të vriteshin ose të plagoseshin në numër të madh.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




