Bota

Suedi, njeriu që dogji një kopje të Kuranit në vitin 2023 vritet gjatë një transmetimi ‘live’

Gazeta Si – Njeriu që dogji një kopje të Kuranit në vitin 2023, duke shkaktuar protesta të dhunshme në shumë vende islamike, u qëllua për vdekje në Suedi teksa po transmetonte drejtpërdrejt në profilet e tij në mediat sociale.

Ai është Salwan Momika, një refugjat irakian 38-vjeçar, i cili u bë i njohur për djegien publike të kopjeve të Kuranit në Stokholm.

Viktima u qëllua për vdekje në banesën e tij në Sodertalje. Në lidhje me hetimin e vrasjes janë arrestuar pesë persona.

Vrasja ndodhi vonë të mërkurën në mbrëmje, kur policia u njoftua për të shtëna me armë zjarri në një shtëpi në lagjen Hovsjö.

Brenda banesës efektivët gjetën Momikën të plagosur me armë zjarri. Ai është transportuar në spital, por nuk ka mundur të mbijetojë.

Momika kishte tërhequr vëmendjen ndërkombëtare më 28 qershor 2023, kur dogji një kopje të Kuranit përpara xhamisë kryesore të Stokholmit, gjë që shkaktoi protesta në disa vende myslimane.

Veprimet e tij shkaktuan një krizë diplomatike për Suedinë gjatë procesit të anëtarësimit në NATO dhe rritën nivelin e kërcënimit terrorist.

Kohët e fundit, Momika ishte në gjyq për “nxitje kundër një grupi etnik ose kombëtar” për shkak të akteve të saj të përdhosjes së Kuranit.

Policia suedeze po heton vrasjen duke marrë parasysh disa hipoteza, duke përfshirë mundësinë që vrasësi të ketë hyrë në banesën e Momikës nga çatia.

Momika ishte akuzuar për nxitje të urrejtjes në lidhje me katër djegiet e ndryshme të Kuranit që ndodhën në vitin 2023.

Sot duhej të jepej dënimi në lidhje me këtë krim, por Gjykata e Qarkut përmes një komunikate njoftoi shtyrjen e vendimit.

“Meqenëse është konfirmuar se njëri nga të pandehurit ka vdekur, dënimi duhet të përshtatet me faktin se nuk është e mundur të dënohet një person i vdekur”, shkruan Gjykata e Qarkut të Stokholmit.

Salwan Najem, i akuzuari së bashku me Salwan Momika, ka komentuar lajmin në profilin e tij. Në fund të majit të vitit të kaluar, Momika, me origjinë nga Iraku, mori një leje qëndrimi të përkohshme në Suedi, e vlefshme për një vit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë