Nga Gazeta ‘Si’- Shefja e politikës së Jashtme e Bashkimit Evropian Kaja Kallas dhe Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio diskutuan mbi luftën në Ukrainë, Iranin dhe Kinën në bisedën e tyre të parë telefonike që kur administrata Trump mori detyrën më 20 janar.
Telefonata vjen mes shqetësimesh të rritura në Evropë rreth asaj që nënkupton administrata e re, me politikën e saj “Amerika e Para”, për lidhjet transatlantike që kanë të bëjnë me mbrojtjen, sigurinë, ekonominë, tregtinë e fusha të tjera.
“Ne diskutuam çështjet globale ku Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë të njëjtat interesa, përfshirë luftën e Rusisë në Ukrainë, ndikimin dashakeq të Iranit dhe sfidat që paraqet Kina”, shkruante zonja Kallas në platformën e mediave sociale ‘X’.
Good call with @SecRubio.
— Kaja Kallas (@kajakallas) January 28, 2025
We discussed global issues where the EU and US have the same interests, including Russia’s war in Ukraine, Iran’s malign influence and challenges posed by China.
The EU and US are always stronger together.
Looking forward to meeting you soon. pic.twitter.com/leKEB81SUT
“BE-ja dhe SHBA-të janë gjithmonë më të fortë së bashku. Mezi pres t’ju takoj së shpejti”, shkruante ajo më tej.
Një zyrtar i BE-së, që foli në kushte anonimiteti, tha se zonja Kallas dhe zoti Rubio ishin përqendruar në prioritetet e përbashkëta.
“Ata ranë dakord mbi domosdoshmërinë e ruajtjes së presionit maksimal ndaj Moskës për të shkuar drejt arritjes së një paqeje të drejtë e të qëndrueshme në Ukrainë”, tha zyrtari.
“Dy zyrtarët e lartë trajtuan gjithashtu rolin destabilizues të Iranit si dhe mbi tranzicionin politik në Siri”, tha i njëjti zyrtar.
Presidenti amerikan Donald Trump ka kërkuar që anëtarët e NATO-s të rrisin shpenzimet për mbrotjen në 5% të Prodhimit të tyre të Brendshëm Bruto (PBB) – një rritje e konsiderueshme krahasuar me objektivin aktual prej 2% dhe një nivel që asnjë vend i NATO-s, përfshirë Shtetet e Bashkuara, nuk e përmbushin aktualisht.
Zonja Kallas “theksoi investimin në rritje të Evropës për mbrojtjen dhe gatishmërinë e saj për të marrë përsipër përgjegjësi më të madhe, krahas rëndësisë së shumëfishimit të burimeve energjitike”, tha zyrtari i BE-së./VOA
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




