Nga Gazeta ‘SI’ – Komisioni i Ekonomisë i dha dritën jeshile, projektligjit për njohjen e pensioneve para vitit 1994, por nuk kanë mundur t’i dokumentojnë ato.
Sipas zv.ministres së Ekonomisë, Olta Manjani, nga ndryshimet ligjore përfitojnë të gjithë ata që kanë punuar në ish-ndërmarrjet bujqësore apo shtetërore nga mosha 18 vjeç, deri në momentin kur janë shuar kooperativat dhe ish-ndërmarrjet shtetërore.
Zëvendësministrja shpjegoi se, “është konstatuar se shumë nga punonjësit e ish-ndërmarrjeve shtetërore, në ish-ndërmarrjet bujqësore dhe në ish-kooperativat bujqësore nuk arrijnë të provojnë dhe dokumentojë të gjitha periudhat e vjetërsisë për marrëdhëniet e punës para vitit 1994”.
“Sipas analizës financiare, kosto e shtuar në vitin e parë të zbatimit të këtij projektligji rezulton rreth 40 milionë lekë. Në vlerësimin e kohës mesatare të gëzimit të pensionit, që është 15 vite kosto për këta përfitues, është rreth 600 milionë lekë për këta përfitues. Në vlerësim të kostove vjetore të shtuara për kategoritë e përfitimit nga ky ligj, vit pas viti deri në një periudhë 16-vjeçare rezulton në pesë miliardë lekë”, shpjegoi Manjani.
Zv.ministrja Manjani theksoi se çdokush që kalon moshën 70 vjeç do të përfitojë një pension minimal.
Deputetët socialistë dhe ata demokratë patën qëndrim të njëjtë për sa i përket moshës së përllogaritur nga projektligji, duke thënë se në periudhën komuniste, puna niste 16 vjeç dhe jo 18 vjeç.
Reagimi i parë erdhi nga deputeti Erion Braçe.
“Atje në fshat kanë nisur punën që 16 vjeç. Kush nuk ishte më në shkollë, shkonte në kooperativë. Kjo mosha 18 vjeç iu humb 2 vite pune. Për ndërmarrjet bujqësore keni vendosur si datë limit 1992, kur ka dalë ligji, ndërkohë që kanë vijuar të punojnë, deri sa i vuri kamzën njëri. Mos duhet ta shihni dhe këtë”, tha deputeti i PS.
Deputeti demokrat, Dashamir Shehu, i kërkoi përfaqësuesve të qeverisë të ulnin moshën e njohjes së pensioneve në 16 vjeç.
“Në kohën e Enver Hoxhës kishte disa ligje për punën. Ligji thoshte do punosh 16 vjeç. 14 ka qenë e paligjshme, kanë qenë nxënës. Kanë punuar 16 vjeç e mbrapa. Vendoseni 16 vjeç se këto referenca janë pa vlerë. Ai grup është shumë i vogël. Del dikush që c çonte qumështin 13 vjeç. A po bëjmë amnist? Atëherë niste detyrimi për sigurim. Kjo nuk ekzistonte”, u shpreh Shehu.
Sipas drejtuesit të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hados, kjo është bërë për të mos krijuar kosto të pamerituara, por shtoi se çdokush mund të ankimojë individualisht kërkesën e vet.
“Në fshat mosha e punës ka qenë 14 vjeç dhe në qytet 15, sa mbaronin shkollën. Ne kemi vendosur 18 vjeç sepse një pjesë e mirë që kap ligji, periudha 60-65, kanë ndjekur shkollat e mesme dhe duke e vendosur 14 do t’u njihnim 4 vite punë pa punuar asnjë ditë. Kemi parashikuar që kjo është njohja bazë, por nuk i është hequr askujt e drejta për të kërkuar edhe periudha të tjera që kanë punuar. Verifikohen dokumentat dhe regjistrat, për vitet e punës dhe profesionin”, shpjegoi Hado.
Pas disa ditësh debat, komisioni i Ekonomisë miratoi dhe propozimin e socialistit Blendi Klosi, për të shtyrë afatin e faljes së taksës mbi të ardhurat korporatave për investitorët strategjikë, që përfaqësojnë një markë të huaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.