Nga Gazeta ‘SI’ – Socialistët kanë propozuar shtyrje të lehtësimeve fiskale për investitorët strategjikë.
Prezantuar nga deputeti Blendi Klosi, projektligji i ri i qeverisë parashikon të përjashtojë nga taksa mbi të ardhurat e korporatave për një periudhë 10-vjeçare, për investimet që përfitojnë statusin special deri në dhjetor 2026. Një përjashtim i tillë ka qenë në fuqi prej 2019-s, por afati përfundoi me 2024-n.
Gjatë fjalës së tij në komisionin e Ekonomisë, Klosi tha se për shkak të lehtësimeve fiskale, nga 2019-a deri më tani, në Shqipëri janë futur 22 marka ndërkombëtare si investime strategjike. Drafti propozon që efektet e përjashtimit fillojnë në momentin e fillimit të veprimtarisë ekonomike të strukturës akomoduese, por jo më vonë se 3 vjet nga marrja e statusit special.
”Sot në Shqipëri kemi 22 brande në turizëm që kanë realizuar investimet e tyre në Shqipëri. Këto retorte me 4-5 yje kanë investuar 450 mln euro, ku 100 mln prej tyre janë aktive tashmë. Vijmë sërish me këtë projektligj sepse në 2019 nuk kishte asnjë kompani. Arsyeja e vërtetë pse ne vijmë këtu është sepse në 2019 kur filloi ky proces, bashkë me iniciativën turizmi kishte një zhvillim të konsiderueshëm. Pse na duhen hotelet me 5 yje? Edhe industria e turizmit ka nevojë të ketë standardet mbi të cilat duhet të ndërtohet e gjithë ekonomia e turizmit shqiptar. Kërkon të hapë vende të reja pune, të sjellë eksperiencën e brandeve që ata përfaqësojnë, duke u kthyer në shkolla për ata që punojnë. Këto brande fusin Shqipërinë në rrjetin e tyre të promocionet, me miliona njerëz”, u shpreh deputeti Klosi duke theksuar se Shqipëria synon të jetë vend më mikëpritës se rajoni, përfshirë Turqinë.
Përfaqësuesit e ministrisë së Financës ranë dakord me propozimin e socialistëve.
Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku e quajti një shkelje propozimin e Klosit, duke thënë se po bëhen përjashtime tatimore në periudhë zgjedhore.
“Në buxhetin e 2024-s, thatë se nuk do të ketë asnjë ndryshim fiskal dhe ndërkohë që buxheti po miratohej vjen propozimi i Klosit. Ligjet e përkohshme po na kthehen në ligje të përhershme. Për herë të 8 shtyhet ligji i investimeve strategjike, cila është lidhja midis tyre? Ne e nisim sesionin me favore për 10-11 hotele”, u shpreh Tabaku duke rikujtuar se ministri i Financave tha se nuk do të kishte më falje taksash.
Për Erion Braçen, shqetësim ishte përqendrimi i këtyre markave në Tiranë, por deputeti Klosi, theksoi se përfitojnë vetëm projektet në zona zhvillimi dhe me emrat e brandit, duke theksuar se i jepen investimeve të reja.
“Unë jam kundër politikës, ‘ndërto për të shitur’. Jam pro politikave të turizmit. Nëse na duhet turizmi elitar, që flisni, nuk kemi pse të jemi të lirë. Kaq vend jemi. Ku do të ndërtohen hotelet nëse vijën e bregdetit e zënë vilat. Të vihen në kontroll shitjet e apartamenteve, po rrisin kostot për vendasit. E keni parë Spanjën? Lehtësimet duhet të jenë të përkohshme. T’i lëmë brandet shqiptare pabarazie? Investojnë shumë më tepër. Rrotullojeni si të doni, është favor fiskal dhe ka nevojë për transparencë”, tha deputeti socialist Braçe.
Në përgjigje të komentit të Tabakut, deputeti Klosi tha se qëllimi është tërësisht në të mirë të ekonomisë edhe pse po përdoret për debate politike.
“Politikat e turizmit ndihmojnë të gjithë ekonominë shqiptare. I kanë sjellë këtij vendi mbi 10 mln turistë të huaj në vit. Nuk përfiton vetëm një zë i vetëm, përfitojnë fermerët, ata që mbajnë plazhe, ata që punojnë në hotele dhe ata që merren me sektorin e turizmit. Qëllimi është të thithim në Shqipëri “ajkën” e hotelerisë botërore. Përjashtimet prekin vetëm brandet që kanë projekte në zonat me qëllim zhvillimi, por jo ato në Tiranë. Lehtësirat i merr vetëm një projekt me brand, brandet kërkojnë standard, cilësi, marrin deri në 10% të xhiros vjetore të subjektit, është risk”, tha Klosi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.