Bota

‘Mirë se erdhe në shtëpi’ Biden pret Trump. I lë letër në Zyrën Ovale

“Mirë se erdhe në shtëpi!” Me këto fjalë e ka pritur në hyrje të Shtëpisë së Bardhë, Presidenti Joe Biden pasardhësin e tij në detyrë, të sapozgjedhurin Donald Trump.

Pritja e Trump u bë nga çifti Biden në portën veriore të Shtëpisë së Bardhë. Pavarësisht se rikthimi i Trump si president përbën një zhgënjim për Biden, ky moment mes tyre u duk tërësisht i çiltër dhe i shoqëruar nga buzëqeshje respektive.

Biden përgënjeshtroi çdo ndjenjë lëndimi teksa shtrëngoi dorën me Trump, duke e mirëpritur atë për çajin dhe kafen tradicionale përpara betimit.

I pyetur për mesazhin e tij për këtë ditë, Biden tha vetëm: “E gëzueshme”.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë të njohur me planifikimin thonë se nuk ka pasur kurrë ndonjë debat nëse presidenti në largim do të merrte pjesë në hapat ceremonialë, pavarësisht nga fakti se katër vjet më parë, Trump nuk i dha të njëjtën mirësjellje Bidenit.

Pasi konsumuan çajin, Biden konfirmoi se kishte lënë një letër në Zyrën Ovale për paraardhësin dhe pasardhësin e tij, Donald Trump.

I pyetur nga gazetarët jashtë Shtëpisë së Bardhë nëse ai kishte shkruar një letër, Biden tha, “po”, megjithëse nuk pranoi të jepte më shumë detaje. “Kjo mbetet mes meje dhe Trump”, tha ai.

Edhe Trump la një letër në vitin 2021 për Biden, të cilën ai e përshkroi më vonë si “shumë bujare”. Ndërkohë, Biden dhe Trump kanë udhëtuar së bashku me të njëtën limuzinë nga Shtëpia e Bardhë në drejtim të Kapitolit për ceremoninë e betimit.

Është traditë që presidenti në largim të shoqërojë presidentin e zgjedhur në Kongresin e SHBA për ceremoninë e betimit. Por kjo nuk ndodhi katër vjet më parë kur Trump e anashkaloi betimin e Bidenit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë