Mendim

Sazani në ankand dhe elita eunuke shqiptare

Ky është reagimi i parë që vjen nga opozita, por jo nga PD-ja, pas miratimit të projektit të Jared Kushner në Sazan nga qeveria shqiptare

Nga Flutura Açka – A ka vend të mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare?
A duhet Opozita ta kthejë Sazanin në kauzë elektorale apo e ka kastruar pozita me fjalën “Trump”?
A duhet partitë e reja të protestojnë me kërkesën për Referendumin Kombëtar për Sazanin?

Historia e Sazanit ështe e gjatë, por thelbësore është se ai asnjëherë nuk ka qenë në shërbim të shqiptarëve, dhe me ç’duket, nuk do të jetë kurrë. Ua mohoi shqiptarëve italiani, ua mohoi shqiptareve regjimi i Enverit, do t’ua “mohojë” edhe Kushneri. Do të thotë, do t’ia mohojë shtrenjtësia dhe fryma e së paarritshmes. Përveç disa viteve të fundit, ku një fluks, më së shumti jomirë i organizuar, të mundësonte ta vizitoje, Sazani ka qenë në pritje që t’ia ofronte shqiptarëve natyrën e tij, magjinë e largët që iu përcillte. Natyrën e pastër dhe të patjetërsueshme.

Ndër shqiptarët që ende nuk e kanë vizituar Sazanin, hyj edhe unë, me shpresë se ka gjithnjë kohë për natyrēn bujare. Nuk është ankesë, por në këtë shkujdesje personale, pata besuar se një qeveri e përgjegjshme dhe patriote, do të krijonte të gjitha mundësitë, jo vetëm t’i qaseshe më lehtë ishullit si qytetar i zakonshëm, por edhe ta ruante atë siç duhej, duke ua kthyer bukurinë e tij shqiptarëve, siç kishte qenë përjetë: i virgjër.

Por, përpos kësaj veshtullie magjike dhe historike që është pjesë e tërheqjes së tij turistike siç është i pacënuar (edhe si një muze i hapur i diktaturës), ishulli i Sazanit ështe një pikë e fortë strategjike që Shqipëria prodhon në derën e Europës. Ne sigurisht, nuk jemi në kohën e kalave të Atletit të Krishtërimit, i cili mbrojti kalatë e Europës duke thërmuar ato të atdheut të vet, por kjo nuk do të thotë të shqyhemi për këdo ushtar politik e strategjik që na kalon atypari ne politikën tonë prostitutë.

Sapo doli lajmi për investimin e madh, dhe dukshëm politikisht i pacënueshëm, dolën edhe mbrojtësit e flaktë të parasë së madhe, atdheu i të cilëve mund të jete edhe luksi, ndoshta me të drejtën e vet sa kohë flirtojnë me çdo pushtet. Ata e mbrojtën me zell të madh dhe mbushën ekranet me mrekullinë qe po na vinte në derë. Sigurisht, kush e di, do të pikojë edhe për ta me kanë rast diçka, në mos para pse jo ca më shumë frymëmarrje Jetset-sash ndërkombëtarë, pasi janë lodhur duke u endur vetëm nëpër hollet e Rolling Hills e Green Cost, edhe pse në të shumtën e herës rehati e ndërtuar duke grabitur paratë e shqiptarëve.

Elita jonë eunuke politike, elita jonë mediatike, elita jonë mjedisore, elita jonë kulturore, heshti. Deri kur?
Ne jemi vend i vogēl, ne kemi një ishull dhe një bregdet të kufizuar që nuk i kalon 500 km dhe qysh tani thuajse i huaj për shqiptarët, pasi nuk ka më plazhe publike për ta, duke i detyruar të ikin e të ikin nga sytë këmbët, ngaqë nuk kanë më atdhe. Sepse atdheu iu ështe shitur i gjithi, i gjithi! Për Trumpët e Trapët me para!

Shqipëria ndryshon nga pjesa tjetër e Europës pikërisht për këtë, për natyrën e saj të jashtëzakonshme e cila është ende e paprekur. Dhe kjo duhet mbrojtur. Me çdo kusht, nëse duam të ekzistojmë edhe nesër si vend, si komb, si identiteti. E mbrojtēm nga serbi, nga greku, nga italiani, por nuk po e mbrojmë dot nga shejtani! Dhe jemi të gjithë fajtorë bashkë, sepse nuk e ngremë asnjëherë zërin.

Në vitin 2010, Sazani u shpall nga qeveria e Partisë Demokratike në Park i Mbrojtur, pasi aty janë disa nga llojet më të rralla të faunistikës së listës së IVCN-së dhe disa nga lloje e habitatit janë nēn mbrojtjen e Konventës së Bernës. Në 26 janar 2022 Parku i Mbrojtur i Sazanit u kthye në Park Kombëtar Detar, i vetmi që kemi në Shqipëri.

Më tej, që të ngrihej një stacion i thjeshtë plazhi në vitin 2019, u kërkua leje nga Bashkia Vlorë, Prefektura Vlorë, Ministria e Turizmit, Ministria e Mbrojtjes, Drejtoria e Përgjithshme Detare, Agjencia e Bregdetit dhe Agjencia e Zonave të Mbrojtura. Dhe leja nuk u dha me të drejtë. Si do të merren kaq lehtë gjithë këto leje për ta shkatërruar ishullin, apo do té firmosen tëk-tëk-tëk?
Do të merren, sepse i pari e shiti Sazanin Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, i cili më 2 dhjetor 2024, e nxorri jashtë Planit të Vendosjes dhe Përhapjes së Forcave të Armatosura. Aferim, zoti President! Je bash siç na duhesh, pa asnjë rezistencë!

Pas shitjes së Butrintit, shitja e Sazanit është akti i dytë antikombëtar i Edi Ramës, i njëjtë me shashkën e Shtetit Bektashian Panbotëror! Edhe për këtë u përdorën për ta promovuar ca eunukë të tjerë, jo vetëm fetarë.

Nëse Partia Demokratike dëshiron vërtet të vijë në pushtet, mbrojtjen e Sazanit duhet ta kthejë në kauzën e vet, dhe kjo mbrojtje nuk ka lidhje me kundërshtimin e asnjë investitori strategjik, me çfarëdo pushteti, fame e fuqie financiare qoftë. Kjo nuk ka lidhje fare as me Prsidentin Trump, por me dinjitetin shqiptar.
Kundërshtimi ndaj projektit të Sazanit ka lidhje thjesht me faktin: a janë pyetur shqiptarët nëse e duan park natyror, ku të shkojnë sa herë të duan dhe kur të duan në Sazan, apo e duan një byc luksoz në atdheun e tyre, ku duhet të shkojnë me lejëkalimi? Sigurisht, në rastin më të mirë, nëse do t’iu lejohet të shkojnë.

Dashuria për vajzën e Trump dhe interesi për ta pasur mirë me Presidentin Trump (i cili, kushedi me ç’rast na e fal turpin McConigal!) nuk kalon, dhe nuk duhet të kalojë nëpër Sazan. Pra, nëpër shqiptarët, tē cilët duhet të qerasin me kleringun e bukurive të atdheut të tyre miqtë e etheve gjeoopolitike të të marrit që u ka rënë për hise ta kenë Kryeministër! (Marrë nga profili i deputetes në Facebook)


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë