Menaxhim

Shpallet investitor strategjik kompania e Jared Kushner, dhëndri i Donald Trump do ndërtojë resort luksoz në Sazan, 1.4 mld $ (dokumenti)

Gazeta Si – Kompania e Jared Kushner, dhëndrit të presidentit të zgjedhur të SHBA-ve, Donald Trump, ka marrmerr statusin e investitorit strategjik për ndërtimin e një resorti luksoz në ishullin e Sazanit.

Vendimi u mor nga Komiteti i Investimeve Strategjike nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama më 30 dhjetor 2024, duke pranuar propozimin e kompanisë Atlantic Incubation Partners LLC dhe t’i japë asaj status të investitorit strategjik me procedurë të veçantë.

Sipas vendimit të KIS, në ishull parashikohet një investim prej 1.4 miliardë eurosh dhe ndërtimi parashikohet të shtrihet në 8 për qind të ishullit ose 45 hektarë.

Projekti i investimit i plotëson kriteret e punësimit të kërkuara nga legjislacioni për investimet strategjike. Përgjatë fazës së realizimit të investimit dhe operimit, numri i personave të punësuar parashikohet të jetë 1,000 (një mijë) persona.

Projekti i investimit propozohet si një projekt i integruar me marinë turistike si dhe struktura akomoduese elitare, rezidenca me standard të lartë, zona gastronomike, zona rekreacionale me shërbime në funksion të tyre.

Projekti i investimit synohet të zhvillohet në ishullin e Sazanit, Bashkia Vlorë, i cili ka një sipërfaqe totale prej 562 ha dhe me një sipërfaqe ndërtimi prej 45 ha sipas gjurmës në Aneksin 1 të këtij vendimi.

Vendimi i KIS nuk bën me dije se çfarë përfiton Shqipëria nga transferimi i pronës publike në favor të kompanisë amerikane, por përmendet se do të negociohet një kontratë me kompaninë amerikane.

Planet për ndërtimin e një resorti turistik luksoz në Sazan dhe një tjetri në Zvërnec nga Kushner dhe kompanitë e lidhura me të, u bënë publike në fillim të vitit që shkoi dhe kryeministri Edi Rama foli hapur në favor të tyre, ndërsa i tha gazetës “New York Times” se interesimi i kompanisë së Kushner e bënte atë “krenar dhe të lumtur”.

Projektet financohen nga kompania e investimeve e Kushner Affinity Partners, e cila mbështetet në fonde nga qeveria e Arabisë Saudite.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë