Nga Gazeta 'Si'- Rusia po pranon humbjen në Lindjen e Mesme.
CNN raporton se Moska po përgatitet për të tërhequr trupat nga Siria. Sipas imazheve satelitore të mbledhura nga Maxar, Rusia duket se po ngarkon dhe përgatit avionë që nisen nga bazat e saj ushtarake në Siri.
Dy aeroplanë të rëndë të transportit ushtarak An-124 ishin të pranishëm në bazën ajrore ruse në Latakia në bregun e Mesdheut të Sirisë veriperëndimore, të dy me hundët e ngritura, gjë që tregon se janë gati për të marrë ngarkesa.
Po çmontohej edhe një helikopter sulmues, me siguri që tregonte se po përgatitej për transport. Ndërkohë, Turqia bindi Rusinë dhe Iranin që të mos ndërhyjnë në Siri gjatë ofensivës rebele që çoi në rënien e Bashar al-Asad, tha të premten ministri i jashtëm turk.
“Gjëja më e rëndësishme për të bërë ishte të bisedonim me rusët dhe iranianët dhe të jemi të sigurt se ata nuk do të hyjnë në ekuacion ushtarakisht. Ne folëm me rusët dhe iranianët dhe ata e kuptuan”, tha Hakan Fidan gjatë një interviste për mediat në Ankara. Ambasada turke në Damask do të rihapet nesër, njoftoi mes tjerash ministri i jashtëm.
Sakaq, një delegacion i Katarit do të mbërrijë në Siri të dielën për të zhvilluar takime me zyrtarë të qeverisë kalimtare pas përmbysjes së presidentit Bashar al-Assad.
Një burim diplomatik në Doha e zbuloi këtë për AFP. Në Siri “tranzicioni duhet të mbrojë të gjitha pakicat. Dhe unë jam dakord me ata që kërkuan krijimin e parakushteve për një kthim të sigurt dhe dinjitoz të refugjatëve”.
Këtë e thotë presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen pas konferencës së G7-ës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.