Ne rrjet

SHBA e shpalli ‘Non Grata’/ Artan Grubi tërhiqet nga politika: Jam i pastër si loti!

Nga Gazeta ‘Si’ - Ish-zv.kryeministri shqiptar RMV dhe nënkryetar i BDI-së, Artan Grubi ka vendosur të tërhiqet nga politika, pasi u shpall “non grata” tre ditë më parë nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Lajmin e ka bërë me dije vetë Grubi përmes një reagimi publik, ku thekson se edhe pse nuk e ka detyrim për t’u tërhequr nga politika, po e bën për të mos qenë barrë politike për BDI-në, forcën politike ku bënte pjesë. Ai shton se përpara Zotit, familjes dhe miqve është i pastër si loti.

“Edhe pse vendimi thotë që ky nuk është për të dënuar, por për të nxitur përmirësim të sjelljes, unë, përpara Zotit, familjes dhe miqve jam i pastër si loti, por me synimin për të zbardhur të vërtetën, të cilën shumë prej jush e shoh që tashmë e dini, dhe për të mos qenë barrë politike, kam vendosur që të tërhiqem nga jeta publike dhe për këtë e kam njoftuar Kryetarin Ahmeti qysh ditën e parë.

Besoni tek rruga e tij e drejtë, një rrugë që ka qenë dhe mbetet shpresa më e madhe për shqiptarët dhe për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut. Unë mbetem gjithmonë i përkushtuar ndaj këtyre vlerave dhe do të jem në krah të tyre, si qytetar dhe si mbështetës i së mirës së përbashkët.

Me respekt dhe mirënjohje nga thellësia e zemrës për mbështetjen tuaj në këto vite", shprehet Artan Grubi.

Kujtojmë se Artan Grubi u shpall “non grata” bashkë me Enver Bexhetin, gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Maqedonisë së Veriut, pasi sipas DASH “janë përfshirë në korrupsion të madh duke pranuar ryshfet për t’i minuar proceset gjyqësore të lidhura me dënimin penal të Sasho Mijalkovit, ish-drejtorit të shërbimit sekret”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë