Nga Gazeta 'Si'- Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka thënë se nuk i kontestojnë vendimet e Departamentit Amerikan të Shtetit, pasi ish-zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi është futur në listën e zezë të SHBA-ve.
Ahmeti ka thënë se nëse vërtetohet fajësia, Grubi do të largohet nga funksionet e partisë.
“Ne nuk i kontestojmë vendimet e Departamentit të shtetit, zotëri Grubi e ka të drejtën e ankimimit, të bëjë procesin në drejtim të fakteve sepse kjo e drejtë i njihet zotëri Grubit në vendimin e Departamentit të shtetit, dhe ai sigurisht nuk do as të dëmtojë subjektin e vetë, familjen e vetë– Bashkimin Demokratik për Integrim, deri në momentin që ky proces të ketë një epilog.
Mendoj që zotëri Grupi është i përgjegjshëm dhe i ndërgjegjshëm, nuk ka nevojë ta largojë partia, zotëri Grubi sigurisht do të tërhiqet vetë nga të gjitha funksionet e partisë”, ka thënë Ahmeti.
Më 9 dhjetor, DASH njoftoi se ka futur në listën e zezë të SHBA-së, Grubin dhe gjykatësin e Gjykatës së Apelit, Enver Bexheti. Arsyeja, sipas Departamentit të Shtetit, përfshirja në “korrupsion të madh”.
Pas kësaj, Grubi ka reaguar në Facebook duke thënë se gjithmonë ka punuar “me përkushtim për anëtarësimin e vendit në NATO dhe Bashkim Evropian”.
“Ky vendim më prek drejtpërdrejt dhe personalisht”, ka thënë ai.
Grubi që vjen nga radhët e BDI-së, ishte numri dy në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut nga viti 2020 deri më 2024.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.