Gazeta Si – Dëshmia e bashkëpunëtorit të drejtësisë Nuredin Dumani është shoqëruar me tensione dhe akuza në seancën gjyqësore këtë të martë në GJKKO.
Teksa tregonte grabitjet e kambistëve të kryer nga grupi i tij gjatë viteve të fundit, të penduarit të drejtësisë i janë kundërvënë në sallën e gjyqit bashkëpunëtorët e tij të dikurshëm.
Sipas Dumanit, ai këto grabitje i bënte së bashku me të shumëkërkuarin Talo Çela, Ilirjan Feçi dhe Gentian Sharra.
“Te grabitja në Kavajë, Talo Çela i ra me levë në kokë kambistit. Atij iu thye nofulla, nuk fliste dot. Morëm çantën dhe u larguam, ndamë lekët diku rreth 20 milionë. Në vitin 2012 Ardian Ozunit “cufit”, i shita një snajper. Henrik Hoxha më tregoi për atentatin ndaj Filip Gjeloshit që ishte paguar fillimisht 5 mijë Euro nga Ardian Ozuni”, ka thënë Nuredin Dumani.
Deklaratat e tij shkaktuan reagime tek të akuzuarit e tjerë nga SPAK, që ishin të pranishëm në sallën e gjyqit.
I akuzuari Petrit Qoli, tha se “Nuredin Dumani është krijesa më e shpifur njerëzore që kam njohur në 53 vitet e jetës sime”.
Për shkak të tensioneve, seanca u ndërpre për disa minuta për të rifilluar më pas me të tjera dëshmi të Nuredin Dumanit për aktivitete kriminale.
Grabitjet e kambistëve
Ndërsa Nuredin Dumani vijoi me rrëfimin: “Në Kavajë, ka qenë një rast me një kambist. Atje jam organizuar unë, Ilirjan Feçi, Gentjan Sharra dhe Talo Çela. Grabitja është bërë me një Audi të vjetër. Feçi kishte një hallë të vetën që kishte shtëpinë afër autostradës. Atë shtëpinë e kishim si bazë, kur bënim grabitje linim automjetet aty. Shkuam një ditë përpara aty, si normalisht. Kemi shkuar aty afër me Audi, unë, Talo Çel,a Gentjan Sharra dhe kemi shkuar te kjo shtëpia. E pritëm atë viktimën që do grabisnim, ishte diku 60 vjeç. Ai më pa mua, unë isha me kapele dhe maskë. Në atë moment i ra Talo me levë surratit, 2-3 herë dhe ai ra në tokë. Nuk fliste dot, vetëm bërtiste. Kishte një çantë si trajse, unë kisha një thikë në dorë. Unë ia mora çantën dhe ika me vrap. Ishin 20 e ca milionë lekë, se mbaj mend mirë ndoshta më shumë. Kaq ishte ngjarja, u larguam. Ka qenë dhe një grabitje tjetër ne Vilë Bashtovë. Mora pjesë unë dhe Talo Çela. Hymë te dhoma e dy pleqve. Pamë një kasafortë. E kapëm, e ngritëm të dy. Kemi ndaluar te ura e Rrogozhinës, aty te pazari, pasi morën kasafortën.
Prokurori Behar Dibra, e ka pyetur Nuredin Dumanin për atentatin ndaj Filip Gjeloshajt, nëse ka qenë në dijeni të ngjarjes apo jo.
“Po, – u përgjigj Dumani. – Në 2020 jam njohur me Henrik Hoxhën. Atë e kam njohur përmes Festim Qolit. Festim Qoli është një person i njohur për mua dhe familjen time. Unë e njoh vetë Ardjan Uzunin. Në vitin 2012 i kam shitur një snajper 12.7. Ardjan Uzuni kishte marrë një porosi për të vrarë Filip Gjeloshin. I kishte dhënë 5 mijë euro paradhënie Henriku. Ka qenë me një Fiat Punto. Personi që e ka qëlluar nuk ka qenë Henrik Hoxhaj, por një person tjetër. Atij i ka ngecur arma”. I pyetur për disa emra nga prokurori, Dumani është ndaluar te grabitja e Astrit Ademit.
“E kemi grabitur këtë personin. Informacionin na e dha Dorjan Shkoza. E kisha parë që vinte me një C Class gri. Këtë Dorjani e kishte shok. Më tha që e kam një shok, ta grabisim, t’i marrim 100 mijë euro. Për këtë ngjarje isha unë, Talo Çela, ‘Qimja’. Ju vunë mbrapa për ta grabitur”.
Vrasja me thikë e Ervis Dedjas dhe nënës së tij
Dumani foli edhe për vrasjen e Ervis Dedjes në vitin 2012, për të cilën ai akuzoi mikun e viktimës, Festim Qolin. Sipas tij, Festim Qoli dhe Ervis Dedja kishin biznese të përbashkëta dhe ishin miq familjarë.
“Ervis Dedja ishte mik i familjes së Festim Qolit. Kishin shumë biznese bashkë, dhe takoheshin shpesh. Vetëm kafe pinte aty. Në vitin 2012, Dedja u vra. Pas vrasjes, mora vesh që e kishte vrarë Festim Qoli, shoku i tij. Te lokali i tij nuk vinte më njeri, sepse ai vrau shokun e tij. Festimi qëndroi 8 muaj në kërkim. Pas ngjarjes, Festimi dogji makinën në Kodër Arapaj. Te djegia e makinës, Festim Qoli digjet në fytyrë”, – tha Dumani.
Gjatë dëshmisë së tij, Dumani tha se vrasjen e nënës së Ervis Dedjas e ka porositur Festim Qoli, pasi sipas tij ajo kishte nisur përpjekjet për zbardhjen e krimit të të birit.
Ai tregon se Qoli u kishte ofruar atij dhe Talo Çelës 40 mijë euro për ekzekutimin e saj. Sipas Dumanit, fillimisht plani i tyre ka qenë që ta vrisnin, teksa shkonte në varreza tek djali i ndjerë, plan të cilin nuk e realizuan dot.
Por, plani për kryerjen e porosisë ishte i qartë, thjesht ata po kërkonin një vend tjetër dhe jo te varrezat. I penduari i drejtësisë thotë se Talo Çela e ka goditur nënën e Dedjas, disa herë me thikë, duke e lënë të vdekur në vend.
“Ervis Dedja ishte mik i familjes së Festim Qolit. Kishin shumë biznese bashkë, jemi takuar në një kafe rastësisht. Në 2012 Dedja u vra. Pas vrasjes mora vesh që e kishte vrare Festim Qoli, shoku i vet. Festim Qoli vendosi të vriste edhe nënën e Ervis Dedjas. Qoli kërkoi ta vriste sepse nëna e Dedjes po vinte vërdallë nëpër gjykata dhe prokurori për të zbardhur vrasjen e djalit të saj. Qoli më kërkoi ta vrisja. Fola me Talo Çelën dhe me personin me pseudonimin Qimja, dhe Qoli na ofroi 40 mijë euro. Unë i thashë Talos që ta bënim për 30 mijë, madje Talo më tha që ta bëjmë edhe pa lekë, sepse Qoli mund të na ofronte punë të tjera. Vendosëm në fillim ta vrisnim kur shkonte në varreza tek çuni që i kishte vdekur, por unë nuk e bëja dot vrasjen aty, se si më vinte. Me pas morëm vendimin ta bënim tek shtëpia e saj në një pallat në bodrum. Shkuam me një makinë të kuqe, u afruam te pallati ku nuk kishte kamera. Unë isha shofer, Talo pasagjer. Hymë te garazhi, zbriti Talo direkt, kishim thikë dhe pistoletë. E qëlluam me thikë që mos dukej si vrasje me pagesë, por si grabitje. I morëm dhe çantën. Talo e goditi disa herë me thikë derisa ra në tokë”, tha ai.
Ndërkohë, avokatët në sallë i janë kthyer kundër prokurorit të SPAK-ut, Behar Dibra, duke deklaruar: “Po bëhen pyetje sugjestionuese dhe presion ndaj bashkëpunëtorit të drejtësisë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.