Futboll

Marota tenton tripletën në merkaton e Inter

Duke filluar nga data 12 dhjetor, Bepe Marota është zyrtarisht pjesë e strukturave të Inter, pas largimit nga Juventus. Drejtori i njohur sportiv në Itali është pjesë e klubit italian prej kohësh, por vetëm para dy ditësh erdhi zyrtarizmi. Marota është i njohur në Itali për aftësitë e tij në ndërtimin e një ekipi konkurrues edhe me pak euro në dispozicion. Pak a shumë të njëjtën gjë do të bëjë edhe të Inter fillimisht, ku dihet që financat nuk janë aq shumë të shëndosha.

Marota ka në objektivat e tij afatshkurtra një goditje të trefishtë në merkato. Është mesi i fushës që nga të gjithë është konsideruar si pika më e dobët e këtij ekipi, që ndikon shumë edhe në paraqitjen e reparteve të tjera, që për hir të së vërtetës nuk janë keq krahasuar me ekipet e tjera kryesuese të Serie A. Menjëherë ka nisur puna për atë që konsiderohet si goditja e parë dhe gjithashtu më e thjeshta, Niko Barela. Mesfushori 19-vjeçar i Kaljarit ka qenë edhe më herët në objektivat e Inter, por pa mundur dot të konkretizohet kalimi i tij në Milano. Tashmë me uljen në stol të Marotës, një ekspert në bindjen e talenteve italian, Inter do të ketë një armë më shumë. Por gjithsesi 40 milionë euro do duhet t’i shpenzojë nëse dëshiron që ta marrë që në merkaton e janarit.

Barela shihet si një element shtesë që mund t’i bëjë punë Spaletit në mesfushë, por emrat që Marota po studion, për t’ia ndryshuar totalisht fizionominë skuadrës zikaltër, janë të tjerë. Bëhet fjalë për ëndrrën e bujshme verore, Luka Modriç, gjermanin Toni Kros dhe serbin e Lacios, Milinkoviç Saviç. Bëhet fjalë për të mesfushorë, nga më të mirët në botë për momentin, për mos të përmendur faktin që Modriç fitoi gjithçka në planin individual këtë vit. Të tre janë shumë të vështirë që të largohen nga ekipet e tyre dhe akoma më e vështirë që destinacioni i tyre i ardhshëm të jetë Inter.

Disa nga gazetat kryesore italiane gjatë dy ditëve të fundit kanë folur për një kalim të Antonio Kontes te Inter, duke u nisur nga fakti që është i papunë për momentin por për shkak edhe të raporteve të mira të tij me Marotën. Konte ka preferuar që të ketë Saviç që nëse nuk arrihet të bindet Luka Modriç, por serbi është shumë i shtrenjtë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë