Treg

KLSH: Si Botox dhe filler hynë ’fshehurazi’ në Shqipëri

Nuk bëhet e qartë nëse Doganat kanë informuar Tatimet për hyrjen në tregun e brendshëm

Nga Gazeta 'SI' - Kontrolli i Lartë i Shtetit, në një auditim tek Drejtoria e Doganave, ka gjetur 51 deklarata doganore me produkte filler dhe botox, të deklaruara në kodin e artikujve “Të tjera”.

Këto produkte raporton KLSH, janë zhdoganuar dhe kaluar për tregtim pa miratimet përkatëse si për prodhuesin dhe tregtarin, pasi në Shqipëri nuk ka asnjë licencë aktive për tregtimin dhe përdorimin e këtyre produkteve. KLSH tregon se përshkak të mungesës së kodit të nomenklaturës së këtij produkti, Doganat i kanë regjistruar në kodin 3304 99 00, tek grupi i mallrave “të tjera”.

Nga auditimi është konstatuar se për këto produkte nuk ka profil specifik risku në sistem duke sjell për pasojë një risk të shtuar nga mos kontrolli për keq deklarime, keq klasifikime dhe mungesë dokumentacioni te veçantë për lejimin e tregtimit.

“Dyshohet për keqdeklarim dhe keqklasifikim të artikullit. Dyshohet se ka artikuj të injektueshëm (botox, lip filler, etj.) në trup (lëkurë, buzë) dhe si të tillë kërkohet regjistrim pranë AKBPM. Keqdeklarimi dhe keqklasifikimi nga ana e deklaruesit kryhet me qëllim shmangien e kontrolleve doganore”

Vendburimi i këtyre produkteve në 75% të rasteve është Koreja e Jugut dhe KLSH i ka kërkuar DPD-së analizim në laborator dhe verifikim fizik të artikujve me arsyetimin se “Dyshohet për keqdeklarim dhe keqklasifikim të artikullit. Dyshohet se ka artikuj të injektueshëm (botox, lip filler, etj.) në trup (lëkurë, buzë) dhe si të tillë kërkohet regjistrim pranë AKBPM. Keqdeklarimi dhe keqklasifikimi nga ana e deklaruesit kryhet me qëllim shmangien e kontrolleve doganore”

KLSH përllogarit se nën kodin “të tjera” janë zhdoganuar rreth 8 mld lekë artikuj, por nuk saktësohet sa nga këto janë lëndë të injektueshme.

KLSH thekson se këto produkte  janë me peshë të vogël dhe vlerë të madhe, po sikurse është evidentuar, vlera e deklaruar rezulton të ketë devijime.

Strukturat kontrolluese doganore nuk kanë realizuar kontrolle fizike për këto produkte me qëllim  evidentimin e parregullsive.

Auditimi për këto produkte i përket periudhës 2021-2023.

Raporti i KLSH-së është publikuar pak javë pasi një operacion policor bastisi 30 klinika estetike në vend për kontrabandim të produktit Botox. Mjeku i njohur estetist, Skerdi Faria, është ende në kërkim.

Në një komunikim zyrtar për Gazetasi.al atëkohë, Agjencia Kombëtare e Barnave deklaroi se nuk ka pasur asnjë kërkesë për përdorimin e këtij produkti dhe rrjedhimisht nuk është lëshuar asnjë leje apo pullë për përdorimin e tij.

“Botulinum Toxin nuk ka bar të Autorizuar për Tregtim në Republikën e Shqipërisë pasi nuk ka patur kërkesa për regjistrimin e tij nga ana e Mbajtësve të Autorizimit për Tregtim. Për rrjedhojë, për këtë bar, Agjencia nuk ka lëshuar leje importi/ zhdoganimi/ leje përdorimi apo pulla kontrolli për asnjë subjekt farmaceutik”, thuhej në deklaratën për Gazetasi.al, Agjencia.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë