Gazeta Si - Ish-gjyqtarja e Elbasanit, Pajtime Fetahu, e arrestuar për lidhje me organizatën kriminale të Suel Çelës, ka dalë në dhjetëra përgjime në aplikacionin “Sky ECC” me kreun e këtij grupi.
Në bisedat mes tyre, ata komentonin vendimet e gjyqtares për të lehtësuar pozitat ligjore të anëtarëve të organizatës që kishin probleme me drejtësinë, apo për të rënduar ato të grupeve rivale.
Në një bisedë të zbardhur në dosjen hetimore nga TCH, Suel Çela i shkruan bashkëpunëtorit të tij, Klaus Matishit se ka kërkuar që gjykata të japë dënimin jo më pak se 25 vite burg për Astrit Sinanaj, anëtari i grupit rival.
LEXO EDHE:
- Kush është Suel Çela, nga përplasja me policinë në vitin 2017 te porositë për eliminimin e rivalëve të tij
- Mega-operacion i SPAK pas zbërthimit të ‘Sky ECC’ / Lëshohen 21 masa sigurie, të përfshirë ish-gjyqtarë dhe policë. ‘Detyrim paraqitje’ për gazetarët Artan Hoxha dhe Elton Qyno
“Ne duam që ta dënojë 25 e sipër dhe të jetë i papërdorshëm akti i ekspertimit. Ded, ja bana të qartë i vë bombën në shtëpi kush e ndihmon… ma rënd se kaq ça ti thoja… o Ded erdhi tani Landi vet këtu te un…jam burrë më tha s’jam legen të kam than para 2 mujsh ka maru ky muhabet… thuja Fates… nesër janë për vendim… 27 thuj Fates… Ded thuj Fates për ne s’ka rëndësi asgjë tjetër përveç ekspertit nul dhe dënimit 25 e sipër…”.
Në dosjen e SPAK, thuhet se nga konteksti i bisedave, Suel Çela ka ndikuar mbi vendimmarrjen e Gjykatës së Elbasanit ndaj të pandehurit Astrit Sinanaj i akuzuar për vendosjen e lëndëve plasëse në mjetin e shtetasit Fuad Verzivolli i njohur në këto komunikime me emrat “Miri” dhe nofkat “tenja” dhe “Mir tenja”.
Marjus Lulaj dyshohet se jo vetëm është këshilluar dhe dakortësuar me gjyqtaren Pajtime Fetahu, e cila ka marrë pjesë në këtë proces në cilësinë anëtarit të trupit gjykues.
Pajtime Fetahu ka kordinuar dhe orientuar Marjus Lulajn (Suel Çela) për veprimet që duhen bërë në këtë gjykatë, por dhe me anëtarët e tjerë të trupit gjykues.
Në një nga bisedat Suel Çela shprehet se njërin prej gjyqtarëve të Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan e ka kërcënuar duke i thënë “do të çoj te Raviku i thashë”, “u sh*rru n’brek”, “e kuptova tha e mora mesazhin“.
Referenca për emrin Ravik, dyshohet së ka të bëjë me shtetasin Ravik Gurra, avokat i ekzekutuar në Elbasan më datë 22.03.2019.
Gjatë datës kur është zhvilluar seanca në fjalë, ka qenë edhe Megi Fetahu, vajza e gjyqtares, e cila e ka informuar Klausin se dënimi ndaj Astrit Sinanajt do të jepet 25 vite burg.
Pra, Gjykata e Shkallës së Parë Elbasan ka dhënë dënimin prej 25 vite burg për të pandehurin Astrit Sinanaj, duke konfirmuar shkallën e dënimit, të cilën vetë Suel Çela kishte kërkuar me ngulm tek trupa gjykuese, e përbërë nga Pajtime Fetahu, Taulant Tafa dhe Zihni Shahu.
Në mbrëmje, Sueli komunikon me Metin Mehjan, të cilit i shkruan: “...ai Sinani që vuni bombën Mirit, u paketu, 25 e dënun…ne pam vidjot që dolën te vrasja atij mirit te autostrada…dhe është po ky sinani që e ka vra me 100%…po leviz gurët t’ja fus n’vesh dhe për atë çështje është po ai 100%…pse ti lem rop q**…”.
Pasi iu plotësua “dëshira”, Suel Çela kërkon që t’i bëjë një dhuratë gjyqtares, sepse ajo nuk pranonte para dhe për këtë, komunikojnë me vajzën, Megin.
“Dhe më tha ça duhet ti bëjmë ndonjë dhuratë se lekë nuk merr. Ti them ti marrë një apple të madh për në zyrë dhe një nga ato mek për shtëpi”, -i thotë bashkëpunëtori i Çelës vajzës së gjyqtares.
“Asgjë, ça i duhet ça thua. Jo zemër mos i thuaj. Nuk bëhet fjalë se thotë ia kërku kjo. Se unë i thash do të ta blej për ditëlindje. Nuk bëhet fjalë, se mendon që kam thënë unë’-i përgjigjet vajza e gjyqtares.
Pas insistimit të Klausit për ofrimin e një dhurate për Pajtime Fetahun, vajza e saj Megi Fetahu shkruan, ...jepi lek… dhe Klausi e pyt për ta konfirmuar, …Ti japi lek?… Megi i shkruan,… po ti po mthu ca ti blej, unë s’di qe ti duhet gjë, por do ta pys”.
Në një pjesë të konsiderueshme të dosjes del edhe emri i Megi Fetahut, vajza e ish-gjyqtares Pajtime Fetahu, ndaj së cilës SPAK lëshoi masën e arrestit me burg.
Përgjimet e vajzës së gjyqtares, Suel Çela i drejtohet Pajtimes: Për ty hidhem në zjarr unë!
Vajza shpesh herë bën rolin e ndërmjetësueses së nënës së saj dhe eksponentë të organizatës së Suel Çelës.
Në një bisedë të zhvilluar më 29 korrik 2030, ajo komunikon me Klaus Matishin dhe i shpreh atij mërzitjen e nënës së saj Pajtime Fetahu me Suel Çelën dhe vëllain e tij Mario Çela.
Megi shprehet se nëna e saj ka rrezikuar duke e ndihmuar në disa raste, ku përmend, atë të Brikin Rustës, për amnistinë e Kelmend Xhaferrit dhe rastin e tritolit të vënë Fuad Verzivollit.
Megi shprehet se e ëma i kishte thënë që “ata të marrin vetëm kur kanë hallet e veta dhe nuk çojnë një fjalë nëpërmjet Renatos që u gëzuan ose të falënderojnë.
Pjesë e shkëputur nga biseda me Pajtime Fetahun dhe Suel Çelën
Marjus Lulaj: Të presim për kafe. Pa diskutim o do fitojm o do fitojm”.
Pajtime Fetahu: Të rrini gëzuar.
Marjus Lulaj: Faleminderit.
Pajtime Fetahu: Bëj se ti e meriton dhe te kam thënë qe ju kam në zemër.
Marjus Lulaj: Mirë motra shikoje vet ne këtu jemi, dhe me thuaj për ca të nevojitem se vetëm ti po bën për ne.
Pajtime Fetahu: Faleminderit shumë o yll. Po për Kelin nuk u gëzove që nuk po e përmend? Unë bëra gjithë atë luftë në gjykatë me burgjet me prokurorin. Apo nuk tregon Blerina? Apo thotë qe i ka bërë ajo?
Marjus Lulaj: Për ty hidhen në zjarr jo vetëm unë, të gjithë ne dhe ne t’kemi cipër kokës ty.
Pajtime Fetahu: Ishalla nuk më nevojitesh haha.
Në dosje thuhet më tej se Suel Çela i ka dërguar pëemes nënës së tij shkumën prej 10 mijë eurosh Pajtime Fetahut “për nderet” që ajo i ka bërë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.