Menaxhim

Shqipëria dhe Emiratet e Bashkuara nënshkruajnë marrëveshjen për prodhimin e përbashkët të energjisë

Nga Gazeta 'SI' - Shqipëria dhe Emiratet e Bashkuara kanë nënshkruar një marrëveshje për krijimin e kompanisë së përbashkët të prodhimit të energjisë.

Në Baku, u hodh firma për marrëveshjen e krijimit të kompanisë së përbashkët publike, mes Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare KESH dhe gjigantit energjetik të Emirateve të Bashkuara, Masdar, që do investojë në Shqipëri dhe rajon.

Kjo marrëveshja u firmos sot mes drejtuesve të të dy institucioneve respektive, me prezencën edhe të kryeministrit Edi Rama dhe ministres së linjës, njëkohësisht zv/kryeministres Belinda Balluku. Marrëveshja u nënshkrua në mjediset COP29.

“Gjatë zhvillimit të COP29 në Baku, përveç të gjitha paneleve ku ne kemi fatin e madh të promovojmë një Shqipëri e cila prodhon 100% energji të rinovueshme, sot kemi firmosur një nga marrëveshjet më të rëndësishme të bashkëpunimit me gjigandin Masdar, kompania emiratase e cila operon prej kohësh në Ballkan, por që tashmë ka vendosur një bashkëpunim të qenësishme me Korporatën Elektroenegjetike Shqiptare, krijimin e një kompanie të përbashkët e cila do të investojë në të gjithë zonën e Ballkanit Perëndimor, por mbi të gjitha në Shqipëri”, shprehet ministrja Balluku për marrëveshjen.

Lajmin e publikoi edhe kryeministri Edi Rama në rrjetin e tij Facebook.

“U nënshkrua në mjediset COP29, marrëveshja e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare(KESH) dhe gjigandit energjitik të Emirateve të Bashkuara, Masdar, për krijimin e kompanisë së përbashkët publike, që do të investojë në Shqipëri e në rajon”, thuhet në njoftimin e shkurtër në Facebook, në profilin e kryeministrit Edi Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë