Bota

Spanjë / Moti i keq dhe përmbytje masive në Valencia, të paktën 62 të vdekur (Video)

Gazeta Si- Më shumë se 62 persona kanë vdekur në rajonin e Valencias për shkak të shirave të rrëmbyeshëm që kanë goditur Spanjën në 48 orët e fundit.

Lajmi konfirmohet nga një vlerësim fillestar i komitetit të krizës të ngritur në ndërtesën e qeverisë Moncloa, ku sips ekspertëve, në 8 orë ka rënë shi sa për një vit.

Megjithatë, numri i viktimave mund të rritet pasi shumë njerëz janë të zhdukur për shkak të përmbytjeve që kanë izoluar disa vende.

Sipas shërbimit kombëtar meteorologjik të Spanjës, reshjet pritet të vazhdojnë deri të enjten.

Presidenti i Generalitat Valenciana, Carlos Mazón, foli për "disa vdekje" për shkak të përmbytjeve, por tha se ishte "materialisht e pamundur" të përcaktohej saktësisht numri i viktimave. Të paktën gjashtë persona të tjerë raportohen të zhdukur në qytetin Letur në zonën e Albacete.

Shirat e rrëmbyeshëm që shkaktuan përmbytje, bënë që një përrua të vërshojë në qendrën e qytetit Albacete.

Shirat e rrëmbyeshëm kanë krijuar shkatërrime masive në shumë vende.   Qindra incidente janë raportuar në Komunitetin e Valencias, Castile La Mancha, rajonin Murcia dhe Andaluzi.

Sipas të dhënave nga agjencia shtetërore meteorologjike, në disa zona, reshjet e dendura të shiut kanë derdhur më shumë se 200 litra ujë për metër katror në pak orë.

Shërbimet emergjente në rajon u bënë thirrje qytetarëve ta shmangin udhëtimin rrugëve dhe u kërkuan t’i përcjellin përditësimet shtesë nga burimet zyrtare.

Transporti me tren në qytetet Madrid dhe Barcelonë është anuluar për shkak të vërshimeve, ndërsa shkollat dhe shërbimet e tjera thelbësore janë pezulluar në zonat më të goditura.

Shkencëtarët thonë se fatkeqësitë natyrore në rajon po shpeshtohen për shkak të ndryshimeve klimatike.

Meteorologët mendojnë se ngrohja e Mesdheut, e cila e rrit avullimin e ujit, bën që shirat e rrëmbyeshëm të jenë shumë më të fuqishëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë