Nga Gazeta ‘Si’- Ngrohja globale po bën që gjithnjë e më shumë zona të botës të digjen nga zjarret dhe mund të jetë duke shkaktuar deri në 12.000 vdekje shtesë çdo vit, për shkak të thithjes së tymit, sugjeron një studim i ri.
Sipas studimit, ngrohja globale po rrit veçanërisht rrezikun e vdekjes nga tymi i zjarreve në Australi, Amerikën e Jugut, Europë dhe pyjet e Azisë.
Një tjetër studim tregoi se midis viteve 2003 dhe 2019, ngrohja globale rriti sipërfaqen e tokës që digjej nga zjarret me gati 16%. Megjithatë, veprimet njerëzore, duke përfshirë pastrimin e pyjeve për rrugë apo bujqësi, rritën sipërfaqen totale të djegur me 19%.
Të dyja studimet, të publikuara në revistën shkencore “Nature Climate Change”, nxorën në pah efektin që shtimi i gazrave serrë në atmosferë ka mbi zjarret, në krahasim me veprimet e tjera njerëzore, si pastrimi i tokave.
Studimi i udhëhequr nga Dr. Chae Yeon Park nga “National Institute for Environmental Studies” në Japoni, vlerësoi se në vitet 2010, rreth 100.000 njerëz ndërronin jetë çdo vit nga thithja e tymit të zjarreve që përmban grimca të imëta, të njohura si PM2.5, të cilat mund të depërtojnë në mushkëri dhe në qarkullimin e gjakut.
Ka qenë e vështirë të kuptohet plotësisht se si ngrohja globale kontribuon në këto vdekje, sepse ndërsa temperaturat më të larta dhe lagështia e ulët rrisin rrezikun e zjarreve, ndërhyrjet e drejtpërdrejta të njerëzve – si fragmentimi i pyjeve – zvogëlojnë zonat që mund të digjen ose pengojnë përhapjen e zjarrit.

Për të kapërcyer këtë problem, studiuesit analizuan tre modele të vegjetacionit dhe zjarreve në kushtet aktuale klimatike dhe i krahasuan me një model ku efektet e ndryshimeve klimatike të sotme ishin hequr.
Edhe pse rezultatet ndryshuan, autorët nga tetë vende, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, SHBA-në, Gjermaninë dhe Kinën, zbuluan se në të gjitha rastet, ngrohja globale po shkaktonte një rritje të numrit të vdekjeve nga thithja e grimcave PM2.5 të prodhuara nga zjarret.
Në disa rajone, rritja e temperaturës ishte faktori kryesor për rritjen e rrezikut nga zjarret, ndërsa në të tjera, ishte përgjegjëse lagështia e ulët.
Autorët vunë në dukje se efektet shëndetësore nga zjarret mund të jenë nënvlerësuar, pasi “toksiciteti i grimcave që vijnë nga zjarret” është më i rëndë se ai i burimeve të tjera.
Prof. Hilary Bambrick, drejtoresha e National “Centre for Epidemiology and Population Health” në universitetin Kombëtar të Australisë theksoi se miliona njerëz në vend ishin ekspozuar ndaj niveleve të rrezikshme dhe të zgjatura të ndotjes nga tymi gjatë zjarreve të “verës së zezë” në vitet 2019 dhe 2020.

“Kjo çoi në qindra vdekje në atë periudhë dhe ka të ngjarë të ketë pasoja të gjata për shumë prej tyre,” tha Bambrick, e cila nuk ishte pjesë e studimit.
“Kërkimi nxjerr në pah vetëm një nga mënyrat se si ndryshimet klimatike po ndikojnë negativisht në shëndetin tonë. Të kuptuarit e këtyre ndikimeve do të na ndihmojë të planifikojmë më mirë për të ardhmen.”
Një studim tjetër, i udhëhequr nga shkencëtarë nga Mbretëria e Bashkuar dhe Belgjika, zbuloi se ngrohja globale po rrit rrezikun e zjarreve, veçanërisht në Australi, Siberi dhe savanat afrikane.
Burimi: Nature.com/Përshtati Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



