Sport

Jeta në Turqi e Mourinhos, hotel luksoz 1.200 euro nata dhe çdo darkë të njëjtat pjata (dhe qebapi)

Portugezi José Mourinho, trajneri i Fenerbahçes, preferon një hotel që kushton 1.200 euro nata, sesa një shtëpi me qira. Por menyja e “Special One” nuk ndryshon kurrë

Gazeta Si- Një jetë si “Special One”, edhe në Turqi. Ndërsa Fenerbahçe është e katërta në renditje dhe ndjek Gallatasarajin, Beshiktashin dhe Samsunsporin në kampionat, trajneri i saj, José Mourinho ka zgjedhur kushtet më të mira për t'u përqëndruar vetëm në punë dhe për të bërë më të mirën pas përvojës së tij me Romën (me të cilën fitoi Ligën e Konferencës në 2022).

Trajneri 61-vjeçar, i cili fitoi tripletën me Interin në vitin 2010, ka preferuar të jetojë në një hotel dhe jo në një shtëpi me qira që kur nënshkroi me klubin turk qershorin e kaluar, sado i madh dhe i rehatshëm të jetë ky i fundit.

Hoteli është jo shumë larg stadiumit “Sukru Saracoglu”, shtëpia e Fenerbahçes dhe portugezi e zgjodhi për të shmangur shpërqendrimet dhe për të dhënë më të mirën në rolin e tij, edhe për shkak të ambicies që e karakterizon.

Hoteli i José Mourinhos

Megjithatë nuk mungojnë argëtimet në hotelin që ndodhet buzë Bosforit, sepse “Special One”, i cili edhe në Turqi admirohet dhe trajtohet si mbret (në qershor ai tha se “ndjen një përgjegjësi të madhe, sepse zakonisht vlerësohem pas sukseseve, ndërsa në këtë rast ndjeva menjëherë dashurinë dhe entuziazmin e fansave”), jeton në një hotel me pesë yje “Four Seasons”, ku suita më e lirë kushton 1.200 euro nata.

Kështu, trajneri ka shpenzuar tashmë 170 mijë euro, edhe pse ndikimi në një pagë vjetore mbi 10 milionë euro mbetet relativ.

Në strukturë, ka një spa, një pishinë të brendshme me dekorime klasike, me banjat turke të pashmangshme dhe proverbiale, disa pishina gjithashtu jnë jashtë dhe një restorant i rafinuar me shef.

Dritaret dhe tarracat e dhomave ofrojnë një panoramë magjepsëse të qytetit antik, një lagje historike shumë e vlerësuar nga turistët.

Meny fikse dhe... dhe qebapi

Pavarësisht komoditeteve, “Mou” i mbetet besnik zakoneve të tij. Mund të shihet edhe në dietën, e cila është e paracaktuar dhe jo shumë e hapur ndaj gjërave të reja.

Disa dëshmitarë, thanë për tabloidin britanik “The Sun”, se si “Special One” është një adhurues i madh i qebapit, por në hotel, ata thonë se ai ha çdo mbrëmje të njëjtat pjata.

Pavarësisht ofertës së madhe kulinare të strukturës, portugezi i qëndron besnik supës së pulës, picës margarita dhe akullores, të cilën e shoqëron me ujë të gazuar.

Kësaj menyje, i shtohen ndonjëherë vezë të fërguara, e vetmja gjë që – me sa duket – Mourinho di ta përgatisë në mënyrë të pavarur. Një rutinë strikte, që ai e ndërthur çdo ditë me punën e bërë me ekipin e tij.

Kështu do të jetë edhe në kuadër të ndeshjes së Europa League të së enjtes në mbrëmje, kur Fenerbahçe do të presë Manchester United-in e Erik Ten Hag, skuadër që u drejtua nga portugezi nga viti 2016 deri në vitin 2018.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë