Financa Personale

Në 2023 shqiptarët shtuan pasurinë dhe borxhet. Familjet posedojnë 2.8 triliardë lekë

Nga Gazeta 'SI' - Pasuritë e familjeve shqiptare janë më të larta se detyrimet e tyre.

Kështu tregon një përllogaritje e Bankës së Shqipërisë, ku thuhet se në fund të vitit 2023, ekonomitë familjare kishin një pasuri prej 2.784 mld lekësh ose rreth 7.8 triliardë me rritje vjetore 142 mld lekë. Huatë dhe detyrimet e familjeve raportohen rreth 330 mld lekë për të njëjtën periudhë me rritje 29 mld lekë.

BSH tregon se familjet zotërojnë 34% të mjeteve financiare në vend dhe pasuria e tyre dominohet nga monedhat dhe depozitat, 49% dhe me rritje vjetore 33 mld lekë. Ndërkohë “kapitali dhe aksione në fonde investimi” përbëjnë 42% të totalit të mjeteve financiare me rritje vjetore 92 mld lekë.

Sipas grafikut gjatë 2023-shit familjet shqiptare kanë qenë në pikën më të mirë financiare gjatë 9 viteve të fundit.

Detyrimet e ekonomive familjare përbëhen kryesisht nga kreditë hipotekore, të cilat zënë peshën më të madhe të totalit (rreth 49%), ndjekur nga kreditë konsumatore dhe huatë e tjera. Huatë po ashtu janë në pikën më të lartë të 9 viteve të fundit.

Detyrimi në “hua” ndaj sektorit të korporatave depozituese, përveç bankës qendrore u rrit me 24 miliardë lekë, në nivelin e 284 miliardë lekë, ndërsa “huatë” me institucionet e tjera financiare u zgjeruan me 5 miliardë lekë, në nivelin e 44 miliardë lekëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë