Futboll

Dramë italiane, Inter dhe Napoli jashtë Champions

Kjo e martë ishte një natë e errët për futbollin italian. Inter dhe Napoli janë jashtë Ligës së Kampionëve, duke e mbyllur këtu aventurën e tyre në këtë kompeticion. Të dyja ekipet italiane janë nxjerrë nga Champions nga dy rivale angleze, Liverpul dhe Totenham. Kanë qenë këto dy surprizat më të mëdha në këtë natë të parë të raundit final të fazës së grupeve.

Në dy ndeshjet e para të luajtura në ora 18:55, janë evituar surprizat, teksa Porto ka mposhtur Gallatasaraj dhe Shalke ka mposhtur Lokomotivën e Moskës. Turqit kërkonin të kalonin në Europa League dhe ia kanë arritur këtij qëllimi edhe pse u mposhtën në shtëpi, pasi përfituan nga disfata e rusëve të Lokomotivës.

Në mbrëmje e gjithë vëmendja ishte e përqendruar në Milano dhe Liverpul, aty ku Interi dhe Napoli kishin sfidat e tyre për të kaluar në raundin tjetër. Inter ka bërë “harakiri”, pasi nuk arritën të përfitojnë nga barazimi në “Cam Nou”. Inter dhe Totenham ishin me pikë të barabarta dhe zikaltërit duhej të fitonin dhe të shpresonin që një gjë të tillë mos ta bënin “gjelat londinez”. Totenham nuk arriti të fitonte me Barcelonën, por as Inter nuk arriti dot të fitonte me PSV. Skuadra e Spaletit në pjesën e parë u mposht nga holandezët e PSV dhe në pjesën e dytë vetëm barazuan. Deri në fund zikaltërit nuk ia dolën që ta fitojnë këtë përballje dhe tashmë do duhet të luajnë në Europa League.

Por një përballje dramatike është zhvilluar edhe në “Anfield Road”. Liverpul ka përmbysur disavantazhin me Napolin duke e mposhtur dhe parakaluar atë në renditje. Ai që vendosi gjithcka në këtë sfidë ishte një gol i Muhamed Salah. Napoli u përpoq gjatë gjithë ndeshjes që ta barazonte sfidën, por herë për mungesë fati dhe herë për faj të sulmuesve nuk arriti të shënojë në portën e Alison.

Në ndeshjet e tjera të kësaj mbrëmje, Dortmund ka mposhtur Monakon, Atletiko Madrid ka barazuar me Klab Bruzh, ndërsa PSG ka fituar me Cervena Zvezda.

Tabela e ndeshjeve:


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë