Financa Personale

Anketa / Mikrokredia dhe borxhi familjar ‘strehë’ për punonjësit informalë. 66% e tyre s’gjejnë dot burime financimi

Nga Gazeta 'SI'- Punonjësit informalë kanë më pak burime financimi për nevojat e tyre. Kjo është një nga gjetjet e studimit të shoqatës së Mikrofinancës në Shqipëri, ku anketohen rreth 900 individë.

Sipas anketës rezulton se rreth 48% e kredimarrësve janë pjesë e ekonomisë informale dhe 100% e tyre i drejtohen subjekteve të mikrokredisë për kredi, në pamundësi të një kredie bankare.

Opsioni tjetër për të marrë hua, përveç mikrokredisë është borxhi tek një i afërm për 60% të të pyeturve dhe 11% me fajde.

“Shumica e pjesëmarrësve, 66% përjetojnë vështirësi të konsiderueshme për të gjetur financime, veçanërisht nga burimet formale si bankat. Kjo tregon se një pjesë e madhe e tyre kanë qasje të kufizuar tek kreditimi formal për shkak të mungesës së dokumentacionit, të ardhurave të ulëta ose punësimit joformal. Për këtë arsye pjesa dërrmuese e të intervistuarve do të zgjedhin të marrin borxh në familje ose shoqëri nëse do t'i mungonin paratë”, thuhet në studim.

Siç tregohet në grafik, shpenzimet për ushqim, ujë dhe më pas shkollim e shëndet janë kryesoret për këto konsumatorë, të cilët theksojnë se do të sakrifikonin të mira materiale për nevoja financiare, si p.sh 63% do të hiqnin dorë nga një pajisje e re teknologjike, 55% nga udhëtimet e fundjavës dhe 50% nga daljet e kafesë apo drekës/darkës. 14% pranojnë se do të hiqnin dorë nga kujdesi dentar dhe 12% nga kujdesi shëndetësor.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë