Arsim

Kërkimin shkencor do e drejtojë qeveria, Manastirliu: Nuk cënohet autonomia e universiteteve dhe nuk ka Ministri të re për Shkencën

Nga Gazeta Si - Qeveria shqiptare ka propozuar një projektligj që synon riorganizimin e sistemit dhe kërkimit shkencor në vend, përmes ngritjes së një strukture të re që do të funksionojë nën drejtimin e kryeministrit.

Me këtë projektligj krijohet edhe Këshilli Kombëtar për Shkencën dhe Kërkimin Shkencor, i cili është një organ kolegjial këshillimor pranë Kryeministrit, që ka për detyrë të përmirësojë veprimtarinë kërkimore shkencore në vend, duke dhënë rekomandime lidhur me fushat prioritare ku kërkohen investime dhe në kuadër të proceseve dhe standardeve të zonës europiane.  

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu tha në Komisionin për Edukimin se fusha e përgjegjësisë së ministrive realizohet nëpërmjet Vendimit të Këshillit të Ministrave ndërsa fusha e përgjegjësisë për shkencën është e Ministrisë së Arsimit, duke hedhur poshtë zërat se do të krijohet një Ministri e re.

“Pra nuk krijohet një Ministri e re”, tha Manastirliu.

Manastirliu tha në Komision se projektligji i ri nuk cënon autonominë e universiteteve, përkundrazi, sipas saj, është një mundësi më shumë për universitetet që ta zhvillojnë kërkimin shkencor, edhe përtej mureve të universiteteve.

“Këtu nuk preket aspak autonomia e Universiteteve. Ky ligj nuk mbivendos dhe nuk cënon ligjin për Arsimin e Lartë, përkundrazi, është një ligj, i cili motivon edhe më shumë Institucionet e Arsimit të Lartë të dalin përtej dyerve të universitetit dhe të jenë pjesë e kërkimit shkencor, inovacionit, zhvillimit teknologjik, zhvillimit të vendit përtej mureve të institucionit, përmes kërkuesve shkencorë, pedagogëve, mundësisë që mobiliteti ofron dhe bashkëpunimi me institucione të tjera prestigjioze, të huaja, edhe në kuadër të ndërkombëtarizmit, të japim mundësi që pedagogët të jenë pjesë transferimit të teknologjisë, e parqeve teknologjike, të jenë brenda sistemit të madh të shkencës pa cënuar autonominë e tyre”.

Këshillit Kombëtar për Shkencën dhe Kërkimin Shkencor do të përbëhet nga 19 anëtarë të tjerë, mes të cilëve 7 ministra.

Ministri përgjegjës për Shkencën, ai i inovacionit, energjisë, bujqësisë, shëndetësisë, mbrojtjes dhe mjedisit, së bashku me 4 përfaqësues të institucioneve të arsimit të lartë, kryetarit dhe tre përfaqësues të Akademisë së Shkencave si dhe dy përfaqësuesit e qendrave të transferimit të teknologjive bujqësore, do të jenë anëtarët e Këshillit Kombëtar për Shkencën që së bashku me ministrinë e Arsimit do të jenë politikëbërësit në drejtim të zhvillimit shkencor.

Ministria do të ketë tagër gjithashtu për vlerësimin dhe monitorimin e veprimtarisë së institutit ose njesive të ndryshme të  kërkimit shkencor dhe në rast të mospërmbushjes së kritereve, ministri vendos kushte për vijimin e veprimtarisë deri në pezullim ose mbyllje të tyre.

Rregullat dhe procedurat për vendosjen nën mbikëqyrje, pezullimin dhe mbylljen e institutit do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë