Nga Gazeta 'Si' - Serbia do të marrë një nyje të re furnizimi me gaz natyror përmes ndërtimit të interkonektorit Maqedoni e Veriut-Greqi, u tha pas takimit të kryeministrit maqedonas, Hristian Mickovski, dhe homologut të tij serb, Milosh Vuçeviç, i cili po qëndron për vizitë në Shkup.
Mickovski, në konferencën e përbashkët për shtyp, shpjegoi se pozita gjeografike e Maqedonisë së Veriut është tepër e rëndësishme dhe shprehu përcaktimin e qeverisë së tij që si e tillë të shndërrohet në udhëkryq rrugor, energjetik dhe hekurudhor.
"Me kryeministrin Vuçeviç biseduam për lidhjen energjetike mes dy vendeve, duke theksuar veçanërisht rëndësinë e ndërtimit të interkonektorit të gazit që do të lidhë të dyja vendet. Ne tani jemi në fazën e përfundimit të procedurës së tenderit, me të cilin më në fund do të nisë ndërtimi i interkonektorit, dhe kështu do të sigurojmë një opsion shtesë për furnizimin me gaz të Evropës Qendrore. Presim që në fund të vitit të përfundojë procedura dhe ndërtimi të fillojë në pranverë. Financimi është i siguruar", tha Mickovski.
Kryeministri maqedonas përsëriti se korridori X-të dhe ai i VIII-të janë projekte strategjike. Ndërsa, pa dhënë ndonjë hollësi më shumë, tha se në takim është biseduar edhe për sfidat me të cilat përballet rajoni.
“Në këto kohë të turbullta është e domosdoshme të jemi së bashku, të bëhemi zëri i arsyes dhe të punojmë për qëndrueshmërinë dhe sigurinë e gjithë rajonit. Theksuam rëndësinë e dialogut si rrugë e vetme për zgjidhjen e kontesteve dhe të keqkuptimeve”, theksoi kryeministri Mickovski.
Më herët, Mickovski paralajmëroi një vit të vështirë për sektorin energjetik, duke theksuar sfidat që vijnë nga rritja e çmimeve të energjisë në tregjet evropiane për shkak të luftës në Ukrainë. Ai tha se "si shtet duhet jemi të gatshëm dhe do t’u përgjigjemi të gjitha sfidave".
Vuçeviç dhe homologu i tij maqedonas, Hristijan Mickovski, konfirmuan përcaktimin për thellimin e bashkëpunimit dypalësh në fusha të ndryshme duke paralajmëruar se deri në fund të vitit në qytetin serb, Nish, do të mbahet edhe një mbledhje e përbashkët e dy qeverive.
"Ne nuk dallojmë asnjë gaz. Ne e duam edhe atë të Rusisë, të Azerbajxhanit, të gjitha gazrat, respektivisht çdo burim që e ofron tregu, për ne është në interes. Nuk është luks të kemi, të mos kemi, të varemi nga gazi i dikujt, për shkak se dikush tjetër e vlerëson ashtu. Na falni, ne mbajmë llogari për shtëpinë tonë, kështu që gjithçka që është në interes të Serbisë, ne do ta përdorim”, theksoi Vuçeviç në Shkup.
Gjatë pritjes shtetërore që u organizua nga kryeministri Mickovski, u vërejt mungesa e ministrave shqiptarë nga radhët e grupimit politik VLEN, të cilët deri tani nuk kanë bërë ndonjë shpjegim për këtë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.