Arsim

Viti i ri akademik: Plotësohen 60% e kuotave. Ekonomiku bojkoton. Studentët përplasen me ministren Manastirliu

Nga Gazeta Si - Rreth 20 mijë studentë të rinj nisën sot vitin e ri akademik ndërsa vijon procesi i regjistrimeve nëpër universitete. Ky vit ka nisur edhe me protesta dhe bojkot.

Ndërkohë që ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu ishte duke folur për mediat lidhur me programet e reja të studimit të hapura dhe binjakëzimit të universiteteve, ajo është përballur me protestën e studentëve të "Lëvizjes për Universitetin".

"Këtë vit ne kemi rreth 20 mijë studentë të regjistruar, regjistrimit vijon edhe në dy javët e para. E rëndësishme është që edhe për degët e shkencave të natyrës dhe programet e hapura si kimia farmaceutike apo fizika kompjuterike kanë patur interes nga studentët dhe këto degë do rijetësohen", tha Manastirliu.

Por, ndërkohë që Manastirliu fliste, studentët protestonin, duke thënë se “që nga momenti që e keni trajtuar studentin si klient në fakultet bisedat me ju kanë mbaruar".

“Më universitetin e Tiranës që e keni bërë lëmsh e li bashkë me diplomat që na jepni që janë false”, tha një tjetër student.

Deri më tani, rreth 60 për qind e kuotave janë realizuar në universitete ndërkohë që numri më i madh i vendeve të paplotësuara është në programet që lidhen me shkenca ekonomike, juridike, sociale dhe degët që lidhen me mësuesinë.

E nëse degët e Mjekësisë, Informatika dhe Inxhinieritë u plotësuan që në ditët e para të regjistrimeve, degët prioritare dhe veçanërisht mësuesia kanë numër shumë të ulët studentësh, me vetëm rreth 30 për qind të kuotave të realizuara.

Universiteti i Shkodrës do rishikojë programet

Ndërkohë, në rrethe situata është edhe më kritike pasi ka degë që kanë shumë pak studentë të regjistruar, me degë si Fizika në Universitetin e Shkodrës me vetëm 1 student të regjistruar.

Për rektorin Tonin Gjuraj, janë disa degë që kanë regjistrime minimale, me më pak se 5 studentë.

“Disa programe studimi janë tërheqëse për studentët. Kemi edhe programe që do na duhen të bëjmë analizë të thellë se si mund t’i shpëtojmë ato. Regjistrimet vijojnë deri më datë 27 tetor. Fizika, historia, gjeografia dhe programi i gjuhës gjermane kanë më pak se 5 studentë të regjistruar. Do ti ruajmë këto programe dhe për vitin që vjen do kemi një panoramë se si do ti shpëtojmë këto programe”, tha Gjuraj, duke shtuar se është tregu që përcakton rëndësinë e këtyre programeve. “Do e mendojmë mos ka ardhur koha që të rishikojmë programet që nuk kanë treg pune por janë të rëndësishme për vendin.

Ekonomiku e nis vitin akademik me bojkot

Ndërkohë, viti i ri akadamik për studentët e ekonomikut ka nisur ndryshe këtë vit. Studentë kanë vendosur të bojkotojnë nisjen e vitit akademik për shkak të konfliktit mes Profesorit Mirdaim Axhami dhe koleges së tij Liljana Billa, ngjarje e ndodhur në korrik të këtij viti.

Disa studentë kanë dalë me pankarta në hyrje të këtij fakulteti por edhe në brendësi të fakultetit, ku shkruhej se profesor Axhami duhet të ishte në burg për dhunën e ushtruar dhe jo në auditore.

“Larg dhuna nga tempulli i dijes”, shkruhet në pankarta.

Shefi i departamentit të marketingut u arrestua në korrik të këtij viti pasi kolegia e tij e denoncoi për dhunë, duke thënë se e ka goditur me grushta në ambientet e fakultetit.

Protesta ka pasur edhe tek Politekniku, ku studentët kanë shpalosur një banderolë të madhe ku shkruhej “Ku janë studentët”, referuar largimeve të të rinjve nga vendi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë