Politike

Pas Gjykatës Kushtetuese edhe SPAK e ILD refuzojnë komisionin ‘Xhafaj’: Nuk do të marrim pjesë

Nga Gazeta ‘Si’- Tre institucione të drejtësisë kanë refuzuar të marrin pjesë në komisionin “Xhafaj”. Fillimisht ishte Gjykata Kushtetuese e cila refuzoi pjesëmarrjen, më pas SPAK dhe ILD (Inspektori i Lartë i Drejtësisë).

Në një reagim thuhet se Prokurorët e Posaçëm diskutuan rëndësinë e bashkëpunimit me Kuvendin për përmirësimin e sundimit të ligjit dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, gjithmonë duke respektuar parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve.

Vendimi është marrë në mënyrë unanime dhe sipas SPAK, nuk është konsideruar e nevojshme pjesëmarrjen me ekspert në këtë Komision.

SPAK ka vlerësuar se tashmë ‘institucioni ynë i ka përmbushur detyrimet ligjore për bërjen publike të problematikave të hasura gjatë ushtrimit të funksioneve të tij duke përfshirë këtu dhe nevojat për ndryshime ligjore përkatëse’.

Ky detyrim ligjor -thote SPAK- është realizuar përmes publikimit të Raporteve Vjetore të SPAK në faqen zyrtare, si dhe raportimeve periodike përballë KLP-së dhe Kuvendit.

“Nga ana tjetër, Prokuroria e Posaçme, cilësoi se është e gatshme për të ofruar kontributin e saj përmes dhënies së mendimeve ligjore sa herë që do të konsiderohet e nevojshme nga ky Komision”, thuhet ne reagimin e SPAK.

Kujtojmë që dje kërkesën për të dërguar ekspertë dhe përfaqësues në tryezat e punës së Komisionit Antikorrupsion e refuzoi Gjykata Kushtetuese.

“Për shkak të funksionit tonë, nuk mund të marrim pjesë në aktivitete që lidhen me procese ligjbërëse, pasi kjo mund të sjellë në të ardhmen konflikt në ushtrim të funksionit të saj, në kontrollin e pajtueshmërisë së ligjeve me Kushtetutën”, thuhet në përgjigjen e Zaçajt.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë