Ne rrjet

Izraeli / ‘Shpërthejnë’ dhe shpenzimet e luftës, më shumë se 100 miliardë dollarë

Analizë mbi ekonominë e Tel Avivit midis kostove direkte për sistemet e mbrojtjes dhe shpenzimeve ushtarake

Gazeta Si - Lufta është e shtrenjtë. Shumë. Jo vetëm nga pikëpamja njerëzore. Konflikti në Lindjen e Mesme po paraqet një kosto shumë të lartë për Izraelin, i cili, ndër të tjera, është i angazhuar në shumë fronte.

Fillimi i operacioneve në Liban dhe konflikti tashmë i hapur me Iranin, vetëm sa do të rrisë më tej nivelet pas asaj që ndodhi në Gaza.

Ekonomisti izraelit Yacov Sheinin ka bërë llogaritjet: "vargu" aktual do të ishte midis 67 miliardë dollarë (vlerësuar nga Banka Qendrore Izraelite) dhe 120 miliardë dollarë (rreth 20% e PBB-së së Tel Avivit).

Në gusht, Banka Qendrore Izraelite bëri një vlerësim të parë të kostos së konfliktit për Izraelin midis 2023 dhe 2025 në 67 miliardë dollarë (nga të cilat 32 miliardë vetëm për shpenzimet ushtarake), e barabartë me pothuajse 13% të PBB-së së vendit, e cila u shtua 10 miliardë dollarë për të financuar transferimin e afërsisht 100 mijë izraelitëve, të cilët duhej të linin shtëpitë e tyre pranë Rripit të Gazës ose kufirit me Libanin pasi ishin shënjestruar nga raketat e Hamasit dhe Hezbollahut.

Kompensimi për dëmin e shkaktuar nga këto veprime u vlerësua në gusht në 6 miliardë dollarë. Veçanërisht e lartë, e kuptueshme, është kostoja me të cilën duhet të përballet Izraeli për të mbrojtur territorin.

Sistemi “Iron Dome”, i cili u vendos për herë të parë në vitin 2011 dhe me raketat “Slingshot of David and the Arrow”, arrin të kapë dhe parandalojë rreth 90% të raketave armike.

Por me çfarë çmimi? Vlerësohet se çdo raketë “Iron Dome” kushton rreth 50 mijë dollarë (çdo bateri e vendosur në të gjithë vendin përfshin tre ose katër lëshues që përmbajnë 20 raketa).

Raketat nga sistemi raketor, “David's Sling”, i cili është projektuar për të rrëzuar raketa balistike me rreze të shkurtër, të mesme dhe të gjatë në lartësi të ulët, kushtojnë rreth 1 milion dollarë secila.

Pastaj janë edhe raketat “Arrow”, kostoja e të cilave, sipas një ish-këshilltari financiar të shefit të shtabit të IDF, është rreth 3.5 milionë dollarë secila.

Prandaj, ekonomia izraelite është një nga viktimat kolaterale të konfliktit që shpërtheu pas sulmit të 7 tetorit nga Hamasi.

Mijëra kompani izraelite, në fakt, u gjendën në vështirësi edhe për faktin se rezervistët duhej të merrnin armët.

Përafërsisht 287,000 izraelitë, siç raportohet nga gazeta amerikane “Washington Post”, në fakt u thirrën për të shërbyer pas 7 tetorit: numri, duke pasur parasysh se vendi ka më pak se 10 milionë banorë, është veçanërisht i rëndësishëm.

Këtyre punëtorëve të huazuar për ushtrinë, i shtohen edhe rreth 85 mijë punëtorë palestinezë që punonin kryesisht në sektorin e ndërtimit, të cilët praktikisht janë zhdukur, pasi nuk ishin të autorizuar të punonin në Izrael për shkak të problemeve që lidhen me sigurinë dhe punëtorëve të huaj që u larguan nga vendi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë