Politike

Kuvendi i kërkon KQZ të zëvendësojë mandatin e Salianjit. Pasohet nga Andrea Mano

Nga Gazeta 'Si'- Kuvendi i Shqipërisë i ka dërguar zyrtarisht KQZ-së kërkesën për zëvendësimin e Ervin Salianjit dhe dhënien e mandatit të tij ndaj pasuesit në listën shumë emërore të zgjedhjeve të kaluara.

Në letrën e firmosur nga Genc Gjoncaj sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, vihet në dijeni Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi se për shkak të dënimit të Apelit, Ervin Salianji ka humbur mandatin e deputetit.

Si i tillë i kërkohet që KQZ të vijojë me plotësimin e vendit vakant që është krijuar.

Sipas rezultateve zgjedhore të vitit 2021, vendin e tij pritet që ta zërë ish kreu i PD në Korçë Andrea Mano, i cili mori 5465 vota.

“I nderuar Z. Komisioner Shtetëror i Zgjedhjeve,

Kuvendi i Shqipërisë, në bazë të shkronjës “dh” të pikës 2 të nenit 71 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe Rregullores së Kuvendit, Ju njofton mbarimin përpara afatit të mandatit të deputetit të PD-së Ervin Salianji, për shkak të dënimit të tij me vendim të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale, njoftuar në seancën plenare të datës 30.9.2024.

Sa më sipër, në mbështetje të nenit 164, pika 1, të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, Kuvendi i Shqipërisë ka detyrimin ligjor për të njoftuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për krijimin e vakancës”, thekson Kuvendi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë