Politike

Grupi i PD kallëzon në SPAK 73 deputetë të PS: Penguan ekzekutimin e 2 vendimeve të Kushtetueses

Nga Gazeta 'Si'- Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka kallëzuar në SPAK, 73 deputetë të Partisë Socialiste, duke i akuzuar se penguan ekzekutimin e dy vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Sipas padisë, këta deputetë kanë penguar ekzekutimin e dy vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Në njoftim zyrtar thuhet se ligjvënësit socialistë kanë konsumuar 2 vepra penale.

“Konkretisht në kallëzimin e dorëzuar në SPAK 73 deputetët e Partisë Socialiste akuzohen se kanë konsumuar në bashkëpunim veprat penale të “Pengimit të ekzekutimit të vendimeve të Gjykatës” dhe “Mosekzekutim pa shkaqe të përligjura të vendimit të Gjykatës”,”- thuhet në njoftim e Grupit të PD-së.

Grupi i PD-së shprehet se “duke e konsideruar të papranueshme mbrojtjen politike dhe pengimin ndaj drejtësisë që mazhoranca po bën për rastin e ish-ministres dhe deputetes Olta Xhaçka, Grupi Parlamentar i PD thekson në kallëzim se ky veprim përbën jo vetëm minim të demokracisë dhe rrënim të besimit të qytetarëve tek Gjykata Kushtetuese dhe sistemi i drejtësisë, por gjithashtu edhe veprim të kundërligjshëm që dënohet nga Kodi Penal”.

Sipas PD, mosekzekutimi i vendimit të Kushtetueses për Xhaçkën, është bërë pa shkaqe të përligjura.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë