Politike

Të enjten seanca e radhës, mblidhet Grupi Parlamentar i PD, caktohet skenari që do të ndiqet

Nga Gazeta ‘Si’-Grupi Parlamentar i PD-së do të zhvillojë ditën e sotme një takim në selinë blu për të përcaktuar skenarin për në seancën e ardhshme parlamentare, që do të zhvillohet të enjten (3 Tetor).

Takimi do të zhvillohet në orën 12:00 dhe në rend dite është aksioni i tyre në Kuvendin e Shqipërisë.

Kujtojmë që Partia Demokratike, në formë proteste për burgosjen e Ervin Salianjit, ka bojkotuar Komisionet Parlamentare dhe në seanën e kaluar në Kuvend (30 Shtator) shkaktoi kaos duke djegur karriget para institucionit.

Një ditë pas kaosit, u referuan në SPAK 23 deputetë të opozitës, ndërsa Grupi i PS i është drejtuar me kërkesë Kryetares së Kuvendit, për të marrë masa disiplinore ndaj 24 deputetëve të opozitës.

Për shqyrtimin e kësaj kërkesë, Sekretariati i Etikës mblidhet të mërkurën në orën 15:00. Grupi i PS ka kërkuar masa disiplinore, ndaj deputetëve Gazmend Bardhi, Flamur Noka, Bledion Nallbati, Edi Paloka, Saimir Korreshi, Lefter Geshtenja, Luan Baçi, Dashnor Sula, Agron Gjekmarkaj, Dhurata Çupi, Xhelal Mziu, Ina Zhupa, Zheni Gjergji, Helidon Bushati, Lindita Metaliaj, Ramadan Lika, Asllan Dogjani, Qani Xhafa, Flamur Hoxha, Isuf Çela, Kastriot Piroli, Lodovik Hasani, Kasem Mahmutaj, Edmond Spaho.

“Këto sjelle dhe veprime të rënda kanë cenuar rëndë parimet dhe vlerat parlamentare. Këto situata të rënda kanë dëmtuar jo vetëm imazhin e Kuvendit si institucioni më i lartë ligjvënës i vendit, por edhe pengojnë përmbushjen e funksioneve të tij të rëndësishme. Veprimet e deputetëve të opozitës janë një shkelje e hapur dhe flagrante e detyrave të tyre si përfaqësues të popullit dhe bien ndesh me normat e mirësjelljes dhe etikës parlamentare”, thuhet në kërkesën e Grupit të PS.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë