Politike

‘Protestë dhe alternativë’, Jorida Tabaku: Primaret, të ruhet bashkimi i PD

Nga Gazeta 'Si'-Jorida Tabaku, një zë i moderuar në PD, i sheh protestat si një nga mënyrat politike për të arritur qëllimet, por për të nuk duhet lënë pas dore oferta e PD për qytetarët.

“Është koha që t’i bëjmë të dyja paralelisht, qoftë protestën, qoftë ngritjen e frymës në terren. Njëkohësisht, duhet t’i kushtojmë vëmendje edhe dhënies së një alternative për PD. Kemi shpenzuar shumë kohë duke thënë çfarë bën keq qeveria, tani jemi në kohën kur njerëzit duhet të na dëgjojnë çfarë do të bëjmë ne mirë dhe si do ta bëjmë më mirë. “- u shpreh zonja Tabaku në një intervistë për Gazetasi.al.

E vetëdijshme për një ekuilibër ende të brishtë pas bashkimit, zonja Tabaku sugjeroi që primaret, një garë e brendshme në PD mes kandidatëve për deputetë, të jenë gjithëpërfshirëse. “Mendoj se duhet gjetur një balancë nëpërmjet përfshirjes së partisë dhe ruajtjes së ekuilibrave. Në këtë proces, PD duhet të ofrojë figurat më të mira politike, duke patur parasysh meritokracinë, por njëkohësisht, të ruajë atë që arriti me shumë vështirësi, bashkimin.”- u shpreh Jorida Tabaku. Duke besuar se qeveria e kryeministrit Rama përfaqëson një shumicë që ka përkeqësuar gjendjen ekonomike dhe të demokracisë në vend, Jorida Tabaku  kërkon nga të gjithë grupimet opozitare të dalin mbi veten për të mos shpërndarë votën kundër qeverisë. 

Gazeta Si: Zonja Tabaku, në këndvështrimin tuaj, a do ta ndiejë politikisht PD burgosjen e Ervin Salianjit dhe mospërfshirjen në fushatë?

Jorida Tabaku: Ervin Salianji është një koleg që ndodhet në qeli vetëm pse denoncoi. Ky është një fakt aq i rëndë, sa edhe kolegët socialistë janë çuditur nga ky vendim. Nga ana tjetër, Ervin Salianji është një nga personat më aktivë në PD përsa i përket denoncimeve dhe betejës. Sot, ai nuk është më në trupën politike që do të bëjë betejën për zgjedhjet e ardhshme. Grupit të drejtuesve politikë i ikën një person i rëndësishëm në një moment të vështirë në lidhje me organizimin. Për të qenë të vërtetë, tre vitet e fundit për PD kanë qenë një tranzicion i vështirë dhe nuk mund të themi që gjërat kanë shkuar mirë gjatë 3 viteve të fundit. Por përveç ndikimit tek përditshmëria e jetës politike, burgosja e zotit Salianji ka vendosur një pikëpyetje shumë të madhe për kontrollin dhe balancën e pushteteve.

Gazeta Si: Çfarë do të ndryshojë në skenën politike vendimi për të nisur protesta, kur, në të shkuarën, nuk kanë patur efektin që ju keni dëshiruar?

Jorida Tabaku: Protesta e lajmëruar në 6 Tetor kishte kohë që po diskutohej, por sa më shumë kohë kalon, aq më shumë shtohen arsyet për të protestuar. Protesta qytetare lidhet me situatën politike, me atë ekonomike, me situatën sociale, me çdo gjë që ne e kemi denoncuar gjatë kësaj kohe. Dhe, ndërkohë që organizohej protesta, ndodhi burgosja e zotit Salianji, moszbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për deputeten Xhaçka. Pra, janë disa rrethana që shpresoj të shkaktojnë reagimin e duhur për mbështetjen e nevojshme popullore. Prej disa kohësh, strukturat e PD-së kërkojnë organizimin e një proteste dhe është një moment i mirë për ta bërë këtë. Ajo që ka rëndësi për mua, është që ne duhet t’i bëjmë paralelisht të gjitha. Që të shkojmë te protesta, duhet të punojmë me njerëzit në terren, të ngremë frymën, të bëjmë takime kapilare, sepse situata në PD nuk na ka lënë shumë hapësirë të flasim me njerëzit. Është koha që t’i bëjmë të dyja paralelisht, qoftë protestën, qoftë ngritjen e frymës në terren. Njëkohësisht, duhet t’i kushtojmë vëmendje edhe dhënies së një alternative për PD. Kemi shpenzuar shumë kohë duke thënë çfarë bën keq qeveria, tani jemi në kohën kur njerëzit duhet të na dëgjojnë çfarë do të bëjmë ne mirë dhe si do ta bëjmë më mirë. Thënë këtë, nuk duhet të harrojmë që ndodhemi në një moment ku qeveria, mazhoranca ka vënë në pikëpyetje zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Gazeta Si: Pjesë e organizimit të bredshëm dhe të garës në parti janë primaret, ku do të përcaktohen kandidatët për deputetë. A duhet të ketë primare në një kohë që partia ka një unitet të brishtë dhe në te kaluarën primaret kanë ndarë, nuk kanë bashkuar?

Jorida Tabaku: Ka një grup në PD që po punon për të gjetur cila është më e mira në këtë peroudhë. Unë mendoj se duhet gjetur një balancë nëpërmjet përfshirjes së partisë dhe ruajtjes së ekuilibrave. Në këtë moment, nuk është shumë e lehtë pas atij debati, ku kaloi PD për tre vite. Në këtë proces, duhet të kemi parasysh që PD të ofrojë figurat më të mira politike, duke patur parasysh meritokracinë, por njëkohësisht, të ruajë atë që arriti me shumë vështirësi, bashkimin. Pra duhet ruajtur një balancë, mes meritokracisë, mbështetjes së bazës që ta ofron partia dhe gjithëpërfshirjes, të ofertës elektorale që do të ketë PD, ku të sigurohemi se do të jenë të përfshirë të gjitha grupet me rëndësi, përfshi edhe diasporën. Por dua të perfitoj nga rasti dhe t’i bëj thirrje të gjithë palëve në Partinë Demokratike, edhe atyre që nuk ndihen të përfaqësuar. Çfarë është e rëndësishme sot, kundërshtari që kemi përballë, që po kthehet në një rrezik për Shqipërinë apo është më e rëndësishme se çfarë bën secili prej nesh? PD nuk bën dot 10 kryetarë, 1 kryetar ka. Prandaj, ne duhet të eliminojnë mosdakordësitë për momentin dhe të fokusohemi tek njerëzit. Kjo është një ofertë për të gjithë zërat opozitarë. 

Gazeta Si: Në përballjen e ardhshme elektorale, kryeministri ka parashikuar një rezultat si i 97-ës për PD-në, pra më të keqin e mundshëm, 25 deputetë. Jeni kaq keq në terren? 

Jorida Tabaku: PD ka mundur Ramiz Alinë në 91-shin, kur po ndryshohej një sistem. Tani po flasim për të njëjtën gjë, për një sistem të instaluar antidemokratik. Kush thotë që kjo është e shkuara, mund t’i kujtoj se në 2024 ka një akumulim pushteti në të njëjtën dorë, siç nuk ka qenë kurrë për 33 vjet. Patjetër që zgjedhjet janë një sfidë për qytetarët, sepse ekonomikisht nuk janë më mirë se 11 vite më parë, por janë një sfidë edhë për demokracinë, për balancën e pushteteve, për autoritarizmin. PD ka kapacotetet për të ofruar një alternativë të mirë politike, për t’iu drejtuar të gjithë grupeve. Është e  ërtetë që duhet të përmirësihemi, të modernizohemi. Kemi të gjitha mundësitë të dalim me një rezultat shumë të mirë surprizues. 

Gazeta Si: Ju përshkruani një situatë të përkeqësuar politike dhe ekonomike, por Shqipëria po hap negociata për anëtarësim në BE. Pse po i jepet ky kredit qeverisë tani?

Jorida Tabaku: Hapja e negociatave duhet të kishte ndodhur 13 vite më parë, por qeveria dështoi datë pas date dhe la të ikë çdo tren që na vinte në stacion. Jemi shumë të vonuar në këtë drejtim dhe kryeministri nuk mund t’u flasë shqiptarëve me të njëjtën retorikë të 13 viteve më parë, për më tepër për një proces për të cilin qeveria ka festuar disa herë për hapjen e negociatave. Kam kërkuar disa herë që këtë proces ta trajtojmë si një proces në të mirë të qytetarëve dhe, prandaj, në emër të PD kemi mbështetur çdo nismë për këtë proces. Shume herë kemi patur mosdakordësi për mënyrën sesi po shkojnë gjërat, por e kemi konsideruar këtë si një proces të nisur nga PD dhe si proces që nuk duhet t’i shërbejë politikës, por qytetarëve.

Fatkeqësisht, maxhoranca nuk e ka parë kështu, por rëndësi ka që Shqipëria po i nis negociatat më në fund, edhe për shumë rrethana gjeostrategjike, të cilat nuk fshihen më nga palët. Monitorimi nga BE është gjithmonë i mikpritur. 


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë