Politike

Mbledhja e Këshillit të PD-së, Berisha: Me arrestimin e Salianjit, Rama na shpalli luftë. Gati për protestën e 7 tetorit!

Nga Gazeta 'SI' - Dënimi me 1 vit burg i deputetit Ervin Salianji çoi në një mbledhje urgjente të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike.

Kryedemokrati Sali Berisha tha se PD mblidhet në një mbledhje emergjente, të lidhur me fatin e demokracisë, pluralizmit dhe sovranitetit të kombit shqiptar, që janë ndikuar nga vendimi i marr dy ditë më parë nga Apeli për Salianjin.

Lideri i opozitës nënvizoi faktin se karriera politike e Salianjit është shënjuar me të bërit opozitë kundër qeverisjes së Edi Ramës dhe bëri përgjegjës ish-ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj për burgosjen e tij.

Në fjalën e tij gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të PD, Berisha u shpreh se në përgjigje të “deklaratave të luftës” nga ana e qeverisë me arrestimin e Ervin Salianjit, demokratët duhet të sulmojnë duke përdorur gjithë mjetet e mosbindjes civile.

 “Kjo mbledhje është thirrur për t’u rënë borive të betejës, për përgjigjen tonë më 7 tetor”, u shpreh Berisha.

“Dy ditë më parë, një deputet i opozitës, guximtar, Ervin Salianji, një politikan, i cili e ka nisur karrierën e tij politike në opozitë e që nuk ka qenë kurrë në pushtet, që nuk ka pasur kurrë në dorë fonde publike apo qeveritar, u dënua me burg, iu hoq liria. U burgos sepse guxoi të bëjë detyrën e tij. Sepse guxoi të denoncojë publikisht vëllazërinë më të rrezikshme të mafies së drogës të atyre viteve, konkretisht të denoncojë vëllazërinë Xhafaj, Geronin e saj, vëllain e Fatmir Xhafës, për trafik droge. Ervin Salianji pas këtij akti qytetar, pas këtij akti të guximshëm opozitar, pas kësaj mbrojtje që i bëri shtetit ligjor dhe Kushtetutës së vendit, pati si shpërblim hakmarrjen e verbër të vëllazërisë kriminale Xhafaj dhe vëllazërisë Rama, dëbimin dhe burgosjen për kallëzim të rremë”, tha Berisha.

Më tej, ish-kryeministri theksoi se me dërgimin pas hekurave të një ligjëvënësi demokrat, kryeministri Edi Rama i ka shpallur luftë opozitës përmes një akti terrori.

“Prej denoncimit kurajoz të Ervin Salianjit, Geron Xhafaj sot gjendet prapa hekurave në Itali, pikërisht për trafik droge. Vlora, Shqipëria një kriminel më pak. Por për gjykatën politike personale të Edi Ramës, për gjykatën e sunduar nga krimi i organizuar, me urdhër të partisë, Ervin Salianji shkoi në burg për kallëzim të rremë, bazuar në kallëzimin e Geron Xhafës, si një hakmarrje, si një dëshmi e sundimit të plotë të kodit të mafies të vëllazërive mafioze Rama-Xhafaj në Shqipëri. Me këtë akt, kreu i narkoshtetit shqiptar, Edi Rama nisi zyrtarisht fushatën e tij. Me burgosjen e Ervin Salianjit për denoncimin e tij guximtar, Edi Rama nisi fushatën e hakmarrjes, terrorit ndaj opozitës dhe ndaj shqiptarëve”, deklaroi Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë