Politike

‘Si kërkohet llogari një partie pse del një derr nga ai pyll’, Rama: Nuk mund të mbajë përgjegjësi partia për një palaço

Kreu i qeverisë, Edi Rama, teksa diskutonte në podkastin e tij “Flasim” për skandalin tek Onkologjiku, u shpreh se “nuk i kërkohet llogari një familje apo partie pse del një derr nga ai pyll”. Që në fakt Ramës i kanë dalë jo pak të tillë.

“S’mund të mbajë përgjegjësi familja që një anëtar i saj i rritur dhe edukuar, del një kriminel e palaço”, u shpreh Kryeministri.

Rama theksoi se dallimi bëhet tek mënyra se si reagon ndaj situatës, nëse e justifikon apo kërkon ndjesë.

“Nuk i kërkohet llogari një familje, një organizate, një ndërmarrje, një partie, një shoqate, një vendi pse del një derr nga ai pyll dhe pse ndodh një gjë që nuk duhet të kishte ndodhur, por ama llogaria bazohet tek si reagon ndaj saj.

Se ti nuk mund të mbash përgjegjësi, një parti, një familje, s’mund të mbajë përgjegjësi familja që një anëtar i saj i rritur dhe edukuar, del një kriminel e palaço, por si reagon ndaj kësaj aty bëhet dallimi, a justifikon apo e sheh në sy dhe thua ndjesë ky ishte moment i keq dhe si mund ta rregullojmë duke ndërhyrë në sistem”, tha kreu i qeverisë.

Në podcastin ‘Flasim’ ku kryeministri kishte ftuar mjekun e njohur neurokirug Kita Sallabanda i cili ndodhet ne Spanje.

Gjatë bashkëbisedimit, Rama na tha se spitalet në Shqipëri i shajnë ata që nuk i kanë parë vitet e fundit edhe pse ka vend për përmirësim

“Aparaturat? Krahasuar me vende si Spanja, kemi mangësi, por aparaturat bazike sot moderne I kemi. Duhen aparatura që bëjnë veprime më të specializuara. Ajo që ndodhi tek Onkologjiku ishte shumë prekëse, tregues se kemi ende nevojë të përmirësojmë sistemin dhe mënyrën e menaxhimit.”

Sallabanda është pro lejimit të punësimit të mjekëve në shtet dhe privat. Një sistem që e ka dhe Franca dhe Italia.

“Duhet të përkrahen mjekët që janë atje, pse jo të zhvillojnë aktivitetin e tyre në privat” tha Sallanda

Ndërkohë Rama foli për ndryshimet që janë bërë që lejon punësimin e mjekëve në privat por më parë duhet të marrin aprovim nga drejtuesi  duke shtuar se “s’mund të jetë ‘hajt se po nisem’.

“Lidhjet e publikut me privatin, për shkak të mësimeve që nxorrëm nga historitë e pagëlltitshme të Onkologjikut e kemi që mjeku që punon në publik mund të shkojë të punojë në privat, por duhet të njoftojë dhe të marrë aprovim dhe sjellja e pacientit sa andej këndej është thyerje e kodit etik”, tha Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë