Politike

I dënuar me një vit heqje lirie, Ervin Salianji mbërrin në burgun e Fierit

Nga Gazeta 'Si'- Pas vetëdorëzimit në Policinë e Tiranës, deputeti demokrat Ervin Salianji, i dënuar me një vit burg, ka mbërritur në burgun e Fierit, ku pritet të vuajë dënimin.

Ervin Salianji u vetëdorëzua pasditen e kësaj të premteje (27 shator) pranë ambienteve të drejtorisë së Policisë së Tiranës, nga ku dhe deklaroi se sakrifica e tij nuk do të shkojë dëm dhe se betejën për të vërtetën do ta bëjë nga burgu.

Pranë ambienteve të burgut të Fierit, ishte deputeti demokrat Luan Baçi në mbështetje të Salianjit.

“Në burgun e Fierit vjen sot një koleg dhe mik i imi, koleg i PD i dënuar politikisht nga kjo mazhorancë dhe ky kryeministër. Absolutisht do të jemi pranë tij dhe në krah të tij. Strukturat e degës së qarkut Fier do të jenë në dispozicion të tij. Është detyrimi ynë meqë institucioni i vuajtjes së dënimit të tij është në Fier. Kushdo mund të ishte sot në vend të tij. Salianji përveçse ka bërë një dënim që u vërtetua katërçipërisht i vërtetë, sepse vëllai i Xhafajt u dënua ë Itali, si mund të themi që Salianji është dënuar me të drejtë. Është një i dënuar politik, është një goditje ndaj opozitës”, tha Baçi.

Kujtojmë se Gjykata e Apelit la dje (26 shtator) në fuqi dënimin me 1 vit burgim për deputetin demokrat Ervin Salianji, për akuzën e “Kallëzimit të rremë” për rastin e audio-përgjimit ku pretendohej se vëllai i ish ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, ishte përfshirë në një episod trafiku droge.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë