Keshilla

Ekstremi logjik anti-plakjes

Nga Yasmin Tayag* - Po ndodh diçka e çuditshme në Instagramin tim. Përvec VIP-ave me fytyrë perfekte edhe miqtë e mi nisën të dukeshin po aq bukur. Ata janë në mesin e të 30-ave, por fytyra e tyre duket e butë dhe pa rudha, si të jenë një dekadë më të rinj. A është grim? Serume? Suplemente? Gjumi? Kur i pyeta se si ia kanë arritur, m’u përgjigjën: “Baby botox”.

Ashtu si botoxi normal, “baby botox” injektohet në muskujt paralitikë. Ndryshimi është se botoxi bebe është proaktiv dhe nëse injektohet në rini dhe më pas ripërsëritet për disa muaj, mund të parandalojë rrudhat. Quhet “bebe” sepse gjatë procesit përdoren doza më të vogla se botoxi normal, duke ndikuar në një efekt më natyral dhe jo efekt ngrirës si botoxi. Por edhe sepse njerëzit e bëjnë shumë herët, jo bebe, por adoleshentë.

Baby botox nuk është procedurë e re. Si një studente kolegji në 2008-n, kam punuar si asistente e një mjeku që ishte specializuar në injektime kozmetike. Ndonjëherë, pacientë të moshës së mesme sillnin vajzat e tyre, që ishin në moshën time, për baby botox. Thjesht tani është përhapur më shumë. Numri i 20-e ca vjeçarëve që bëjnë botox dhe injektime të ngjashme është rritur me 71% nga 2019-a në 2022-shin. Procedura është e pranuar në rrethin e 20 dhe 30 e ca vjeçarëve që kanë pak para mënjanë.

 Tani që jam 37 kam parë disa krisje në fytyrën time, linja të të qeshurës dhe qeska poshtë syve që më bëjnë të dukem dyfish më e lodhur. Ndoshta rutina ime me kremra nuk ka qenë mjaftueshëm.

Qëllimi i baby botox është i njëjtë me atë të çdo produkti tjetër të fytyrës: të ngadalësojë plakjen. Egjiptianët e lashtë përdornin bimët “magjike” si fenugreek dhe ladanum për të trajtuar rrudhat. Në vitin 500 para Krishtit, gratë kineze përdornin vaj çaji dhe pluhur orizi për të fshehur vijat e tyre. Tani të gjitha llojet e pafundme të kremrave, serumeve, maskave etj ekzistojnë për të njëjtin qëllim.

Njerëzit janë të fiksuar me kujdesin e lëkurës dhe po e nisin shumë më herët. Është epoka e “adoleshentëve të Sephora-s”, fëmijë që janë të fiksuar me produktet që përdorin mamatë e tyre. Baby botox është kulmimi i këtyre impulseve.

Çdo fytyrë që lëviz krijon rrudha. Ato që njihen si rrudha dinamike shfaqen vetëm kur fytyra lëviz, por me shumë përsëritje, ato nisin të bëhen statike, të dukshme dhe kur fytyra nuk lëviz. Që kur botoxi u miratua si trajtim në vitin 1989, është përdorur për rrudhat dinamike, bën pak për ato statike.

Në kontrast, baby botox i parandalon rrudha statike nga shfaqja. Edhe pse nuk ka studime për efektin afatgjatë të saj, procedura ka pasur sukses. “Nëse nis të bësh botox herët, ndalon daljen e rrudhave”, thotë Raman Madan, dermatolog në New York. Pas një dekade, fytyra duket e tkurrur dhe e butë si në fillim.

Sigurisht ka një klecckë. Baby botox qëndron vetëm 3 muaj. Nëse nuk bën injektime të reja efekti zbehet dhe muskujt rikthehen në lëvizje duke tentuar të krijojnë rrudha. Për të arrirë qëlllimin që do, duhet përkushtim.

Jo se injektimet me baby botox i lejon dikujt të mos plaket kurrë. Nuk mund të parandalojë dëmtimin e diellit apo të ruajë elasticitetin e lëkurës ose ta rrisë pas rënies së kolagjenit. Edhe pse ka rezultuar të jetë mjaft i sigurt, një rrezik i mundshëm është se, gjatë shumë dekadave të përdorimit, muskujt e fytyrës mund të atrofizohen, gjë që mund të çojë në një pamje më të moshuar, tha Madan. Herë pas here, fytyra, e vendosur për t’u emocionuar, rekruton muskuj të tjerë për të kompensuar ata të imobilizuarit, të cilët mund të çojnë në rrudha në zona të papritura, të tilla si "vijat e lepurit" rreth hundës. Shkathtësia e kujtdo që është duke injektuar botox bën të gjithë ndryshimin; teknikët me përvojë duhet të jenë në gjendje të parashikojnë lëvizjen e ardhshme. Por përsëri, pacientët e ndërpresin trajtimin me rrezikun e tyre: Fytyrat fillojnë të rrudhen sapo efektet zbehen.

Shkëlqimi i baby botox është nxitur nga rrjetet sociale dhe të famshmit, që përveç se reklamojnë botoxin, zvogëlojnë dhe stigmën përreth saj. Shumë gra dhe vajza me të cilat kam komunikuar, më thanë se “Shtëpiaket e dëshëpëruara” i bindën të nisnin botoxin.

Pavarësisht nga të metat e trajtimit, një person që fillon botoxin në moshën 25-vjeçare dhe e mban atë, mund të duket ende në atë moshë një dekadë më vonë. Në 10 vjet të tjera, ata mund të duken dukshëm të rinj për moshën e tyre. Edhe nëse ndalen në atë pikë, ata plaken me një vonesë 20-vjeçare. “A do të dukesh 20 kur të jesh 60? Jo, por patjetër që do të dukeni më të rinj, tha Madan.

Botoxi bebe është kulmi i anti-plakjes. Obsesioni për të qëndruar i ri i konsumon të rriturit dhe të rinjtë njësoj, dhe kurrë më parë mjete të tilla efektive kundër plakjes nuk kanë qenë kaq tërheqëse ose të arritshme. "Zvarritja e kujdesit personal në demografinë më të re nxitet nga kompanitë sipërmarrëse, prindërit e fiksuar pas kujdesit të lëkurës dhe ndikuesit e bukurisë TikTok”, shkroi Elise Hu në The Atlantic. Është e pritshme që baby Botox po bëhet më i popullarizuar në mesin e të rinjve.

Pothuajse të gjithë pacientët me baby botox me të cilët fola thanë se planifikonin të vazhdonin pafundësisht, duke u mrekulluar me aftësinë e tij për t'i bërë ata të duken "tërheqës". Megjithatë, ata gjithashtu pranuan se ndiheshin të detyruar në pritje të moshës. Për shumë njerëz, veçanërisht gratë, ndërmarrja e hapave kundër plakjes ndihet si një detyrë.

Teksa baby Botox përhapet, po ndryshon atë që do të thotë të plakesh. Të dukesh "mirë për moshën tënde" tashmë ka ndryshuar me përmirësimet në kujdesin e lëkurës dhe stilin e jetesës. Përpara se të mësoja për regjimet e botoksit të miqve të mi, mendova se dukesha mirë deri në fund të të 30-ave. Tani nuk jam aq e sigurt. Dikur mjaftonte të kishe një pamje rinore, por norma po ecën drejt pamjes sikur nuk je plakur fare.

Baby botox mund të zgjasë pamjen e rinisë, por ndoshta të dukesh i ri përgjithmonë nuk do të jetë aq bukur sa duket. Pavarësisht se si ndryshojnë normat, të dukesh i ri mund të të çojë vetëm kaq larg. Kur isha 21 vjeç, një person shumë më i vjetër më tha se mund të kisha një karrierë si spikere lajmesh – por vetëm nëse fytyra ime do të merrte një pamje më serioze. Duke u parë në pasqyrë tani, një pjesë e imja mendon se më në fund po arrij atje.

*The Atlantic


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë