Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD që po zhvillohet në selinë blu, janë propozuar disa mënyra si të pengohet arrestimi i deputetit Ervin Salianji.
Kreu i grupit, Gazment Bardhi u ka propozuar ligjvënësve demokratë që të ngujohen në selinë e tyre së bashku me Salianjin.
“Mos pranimin e padrejtësisë, grupi parlamentar t’i kërkojë Ervin Salianjit të mos ekzekutojë vendimin politik të Edi Ramës. Grupi Parlamentar të ngujohet 24 orë pa ndërprerje, pa afat, në selinë e Partisë Demokratike”, është shprehur Bardhi.
Ndërkohë, vetë Salianji tha pak minuta më parë në një konferencë për mediat nga selia se do të jetë “aty ku e ka caktuar regjimi”, kur u pyet nëse do të vetëdorëzohet në polici.
“Është një çështje ku janë shkelur të gjitha liritë. Edhe Kuvendi vetë reagon me burime, edhe ata vetë nuk i vënë fytyrën kësaj gjejë, atyre ju vjen pra turp. Unë do përballem dhe do jem aty ku e ka caktuar regjimi. Unë do bëj gjitha veprimet e mia dhe vendimmarrjet që kanë të bëjnë me partinë. Kjo është çështje e Partisë Demokratike”, deklaroi Salianji.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.