Ne rrjet

Deputeti gjerman i ekstremit të djathtë që shfrytëzon të burgosurit e Lukashenkos në Bjellorusi

Jörg Dornau i AfD punëson disidentë të arrestuar në biznesin e tij të qepëve në Bjellorusi

Gazeta Si - Kur shpërtheu skandali, Jörg Dornau, deputeti rajonal i Saksonisë që i përket krahut më ekstremist të ultra të djathtë gjerman, filloi të debatonte në mediat sociale për boshllëkun e forcave të armatosura, pasi "qindra miliarda taksapagues shpenzuan për emigrantë të paligjshëm dhe ushtri të huaja”.

Një qëndrim që ka ngjashmërinë e një diversioni. Por nuk funksionoi, shumë njerëz e këshilluan: "Po të isha në vendin tënd, do të kisha shqetësime të tjera, - ia pret dikush, - u zbulua që ju po mbikëqyrni Sklavenarbeit (punën e skllevërve) përmes të burgosurve politikë bjellorusë...".

Një skandal brenda një skandali. Dornau ndërthur aktivitetin e tij politik në AfD, me atë të një sipërmarrësi bujqësor dhe deri këtu nuk ka asgjë të paligjshme.

Veç se prillin e kaluar doli - falë një hetimi të gazetës “Welt” - se ky 53-vjeçar me sy të akullt, u bë “mbreti” i qepëve në Bjellorusinë e presidentit Lukashenko, me një kompani bujqësore që nisi punën atje në fshehtësi të madhe katër vjet më parë, pikërisht në ato ditë të shtypjes së përgjakshme të protestave pro-demokracisë pas zgjedhjeve të diskutueshme presidenciale.

Zybulka-Bel e tij, e cila ndodhet në rajonin Lida, në veri-perëndim të Bjellorusisë, një “hedhje guri” nga Lituania dhe Polonia, vazhdoi të furnizonte “Evroopt”, rrjetin më të madh të supermarketeve bjelloruse, ndërsa BE-ja rinovoi dhe shtrëngoi paketat e sanksioneve drejt "diktatorit të fundit të Evropës”.

Dornau e mbajti të fshehur këtë aktivitet në Gjermani: ai ia hodhi me një gjobë prej më pak se 21 mijë euro të vendosur në gusht nga Parlamenti i Saksonisë për shkeljen e detyrimeve të raportimit.

Flirtimi i tij me regjimin e Likashenkos është bërë edhe më i turpshëm pas zbulimit të fundit: Dornau shfrytëzon të burgosurit politikë si krahë të lirë pune.

“Unë u arrestova në shkurt të vitit 2024, pasi i kisha bërë ‘like’ një postimi në mediat sociale, më pas fillova të punoja për qepët e tij për 5 euro në ditë, madje ai erdhi për të na vizituar”, tha njëri prej tyre për Reform.news, media e pavarur në Minsk, e cila raportoi fillimisht lajmin.

Autori i “scoop”-it, është një reporter që ka frikë të përdorë emrin e vërtetë. “Ndonjëherë përdor pseudonimin Aleksandër, – thotë ai për "Corriere della Sera" përmes Telegramit, – është shumë e rrezikshme të ekspozohem, kam frikë edhe për familjen time”.

Dornau ndoshta u mbështet te frika për të mbajtur të fshehura punët e tij përtej kufirit. Në fakt, nuk ka qenë Andrey, siç e quan veten burimi, ai që ka bërë të ditur këtë aferë.

“Një lexues na raportoi se në një kanal Telegram, aktivistët po diskutonin për një sipërmarrës gjerman që punëson të burgosur politikë në fermën e tij në zonën Lida. Kuptuam që ishte Dornau, nuk ishte e lehtë të gjeje dëshmi, të gjithë refuzuan të flasin, vetëm Andrey, tashmë i sigurt jashtë vendit, u përgjigj”.

Andrey thotë se e pranoi punën për t'i shpëtuar kushteve çnjerëzore të "Qendrës për izolimin e kriminelëve" në Lida.

Në pronat e Dornaut, situata sigurisht nuk ishte idilike: “Kemi punuar në një magazinë nëntokësore, ishte shkurt, duart dhe këmbët na kishin ngrirë. Shkuam në orën 7 të mëngjesit, pastaj punuam deri në orën 18:00 pa ushqim dhe ujë. Kemi ngrënë qepë, të shijshme”. Sipërmarrësi gjerman i kalonte “pagat” e tyre në Qendër, “një strukturë që praktikon rregullisht torturën”.

Ai ka fituar edhe tenderë publikë për të ofruar shërbime të tjera.  Marrëdhëniet e tij të mira me autoritetet e kanë lejuar deputetin të blejë në disa raste mbi 1500 hektarë tokë për perimet e tij: një sipërfaqe të madhe, të marrë së bashku me partnerin e tij, Yurij Kunitski, i cili ka punuar prej vitesh për aparatin propagandistik të Moskës dhe Minskut. Rasti ka vënë sërish në qendër të vëmendjes 1.300 të burgosurit politikë të Lukashenkos.

Mes tyre, është edhe fituesi i çmimit Nobel për Paqe, Ales Bialiatski, Syarhey Tsikhanouski, bashkëshorti i lideres së opozitës në mërgim, Sviatlana Tsikhanouskaya dhe Maria Kalesnikava, e reja që kishte grisur pasaportën e saj për të denoncuar përpjekjen për ta dëbuar nga Bjellorusia.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë