Politike

Prokuroria çon shkresën në Kuvend për Salianjin, PD kërkon mbledhjen e Këshillit të Mandateve. Kuvendi: S’ka arsye, të ekzekutohet menjëherë    

Partia Demokratike i kërkon Kuvendit mbledhjen urgjente të Këshillit të Imuniteteve, para se Prokuroria të arrestojë deputetin Ervin Salianji, duke e cilësuar kërkesën për ekzekutim të vendimit si të paautorizuar nga Parlamenti dhe në shkelje kushtetuese.

Kërkesa iu drejtua sot (27 Shtator) kryeparlamentares Elisa Spiropali dhe lidhet me dënimin me 1 vit burgim të deputetit të PD-së, Ervin Salianji, për "kallëzim të rremë", për dosjen "Babale", vendim i lënë në fuqi dje nga Apeli i Tiranës.

PD e cilëson vendimin të padrejtë dhe në shkelje të Kushtetutës, duke injoruar edhe Kuvendin.

Ervin Salianji ishte në selinë blu të premten e paradites, para se Prokuroria të ekzekutojë vendimin dhe gjithashtu para mbledhjes së grupit të PD në orën 12:00.

“Në një procedurë ekstra ligjore, pa autorizim të Kuvendit, me një nxitim të pa shpjegueshëm, Prokuroria po ndjek procedurën për arrestimin e deputetit të opozitës. Sipas nenit 73, pika 2, “Deputeti nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në çfarëdo lloj forme, apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa AUTORIZIMIN e Kuvendit”.

Këto veprime të organeve të drejtësisë, që cenojnë parimet bazë të shtetit të së drejtës, kanë krijuar një situatë alarmante të goditjes politike ndaj opozitës. Dënimi pa ligj e prova i deputetëve të opozitës, duke shpërfillur autoritetin e Kuvendit të Shqipërisë, duke shkelur në mënyrë flagrante Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, duke mos arsyetuar masat represive ndaj deputetëve të opozitës, është akt i paprecedentë në një shtet demokratik.

Për këtë arsye, në përputhje me nenin 73, pika 2 e Kushtetutës, dhe nenit 13 të Rregullores, kërkojmë mbledhjen urgjente të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, për të rivendosur autoritetin e Kuvendit të Shqipërisë, frenimin e akteve politike ndaj deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, dhe rikthimin e kushtetutshmërisë”, thuhet në njoftimin e grupit të PD-së. Nderkohe, Kuvendi ka informuar jo zyrtarisht se nuk ka arsye për t’u mbledhur Këshilli pasi për rastrin në fjalë Kushtetuta e ka të parashikuar si veprohet me vendimet e formës së prerë.

Ndërkohë, Prokuroria i ka dërguar të premten Kuvendit urdhrin për ekzekutimin e vendimit të Apelit që dënon deputetin Ervin Salianji me një vit burg.

“Bashkëlidhur ju dërgojmë urdhrin për ekzekutimin e vendimit Nr. 2900, datë 18.12.2019, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, i cili ka marrë formë të prerë me 26.09.2024, për të dënuarin Ervin Bujar Salianji, si dhe një kopje të vendimit. Të merren masa për ekzekutimin e vendimit penal”, thuhet në shkresë.

Në dokument shkruhet se vuajtja e dënimit për Ervin Salianjin, fillon nga dita që ky vendim merr formë të prerë, pra data 26 Shtator. Ndërsa dënimi do kryhet në një nga burgjet e sigurise së zakonshme.

Për ekzekutimin e vendimit gjyqësor është ngarkuar Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë