Politike

PD kërkon mbledhjen urgjente të Këshillit të Mandateve: Kuvendi s’mund të anashkalohet për Salianjin, duhet autorizim për arrestimin

Grupi Parlamentar i PD kërkoi mbledhjen urgjente të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetit pasi Gjykata e Apelit e dënoi me 1 vit burg deputetin Ervin Salianji.

“Me një akt hakëmarrës politik,  Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm, me vendim të datës 26 Shtator 2024, ka urdhëruar burgusjen e një deputeti të Kuvendit të Shqipërisë, një zyrtari të opozitës, kolegut Ervin Salianji, për një krim të pakryer dhe për një cështje të fabrikuar nga segmente të caktuara të Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë. Ky akt politik dhe që cenon themelet e shtetit demokratik, prek integritetin e Kuvendit të Shqipërisë dhe cenon mandatin e një deputeti të opozitës”, thuhet në letrën e firmosur nga Gazment Bardhi.

PD thotë se në një procedurë ekstra ligjore, pa autorizim të Kuvendit, me një nxitim të pa shpjegueshëm, Prokuroria po ndjek procedurën për arrestimin e deputetit të opozitës.

“Sipas nenit 73, pika 2, “Deputeti nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në cfarëdo llojë forme, apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa AUTORIZIMIN e Kuvendit”. Këto veprime të organeve të drejtësisë, që cënojnë parimet bazë të shtetit të së drejtës, kanë krijuar një situatë alarmante të goditjes politike ndaj opozitës. Dënimi pa ligj e prova i deputetëve të opozitës, duke shpërfillur autoritetin e Kuvendit të Shqipërisë, duke shkelur në mënyrë flagrante Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, duke mos arsyetuar masat represive ndaj deputetëve të opozitës, është akt i paprecedentë në një shtet demokratik.

Për këtë arsye, në përputhje me nenin 73, pika 2 e Kushtetutës, dhe nenit 13 të Rregullores, kërkojmë mbledhjen urgjente të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, për të rivendosur autoritetin e Kuvendit të Shqipërisë, frenimin e akteve politike ndaj deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, dhe rikthimin e kushtetutshmërisë”, thuhet në letrën e Grupit parlamentar demokrat.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë