Politike

Kryesia e PD merr vendimin, më 6 tetor nisin protestat, Noka: Do ketë përshkallëzim, aksion opozitar edhe në Parlament

Nga Gazeta Si- Kryesia e Partisë Demokratike ka vendosur në përfundim të mbledhjes së zhvilluar ditën e sotme se do të zhvillojë një protestë në datën 6 tetor, si protesta e parë e një serie protestash.

Vendimi erdhi pas diskutimeve të demokratëve për të përshkallëzuar aksionin e tyre opozitar, teksa ditën e sotme Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin për të dënuar me 1 vit burg deputetin Ervin Salianji.

I pari ishte Flamur Noka, sekretari i përgjithshëm, i cili propozoi që protestat të shtrihen nga portet, te aeroporti e universitetet.

Teksa Agron Gjekmarkaj sugjeroi që opozita duhet të bëjë më shumë për të bindur ndërkombëtarët se edhe drejtësia e re nuk po funksionon.

“Të bëjmë diçka simbolike që nesër, sepse po t’i bëhej PS kjo gjë kur ishte në opozitë do kishte reaguar gjithë faktori ndërkombëtar. Ne jemi ende shumë të vakët me ndërkombëtarët. Më shume se protesta, Ramës i dhemb kur reagojnë gazetat, shtypi, ndërkombëtarët. Ndaj ta përdorimin edhe këtë formë të rëndësishme. Duhet të bëjmë një përpjekje të madhe me ndërkombëtarët se dënimi politik, dmth që nuk funksionon as kjo drejtësia e re”, u shpreh Gjekmarkaj.

Pas përfundimit të mbledhjes, Flamur Noka tha për mediat se opozita nuk do të rrijë duarkryq dhe do të ketë protesta të ndryshme, të përshkallëzuara.

"Drejtësia e re vepron kundër Kushtetutës, në duart e Edi Ramës. Vendos padrejtësinë si normën e saj dhe funksion si organizatë kriminale.

Kërkon të kërcënojë opozitën si vendim i radhës se kush lufton kundër Ramës dhe ministrave, kush dënon Ramën dhe narkotrafikantët dhe lidhjen e Ramës dhe ministrat me krimin e organizuar e pret ky fat.

Opozita nuk mund të rrijë duarkryq. Nuk bëhet fjalë thjesht për protestë kombëtare, përshkallëzim. Radikalizim i protestave, ne do të jemi në terren në të gjithë republikën e Shqipërisë.

Qytetarët janë sot një hap para opozitës. Janë të revoltuar, kanë nevojë t’i kontaktojmë. Rruga jonë është pa kthim. Edi Rama do të gjunjëzohet! Aksioni opozitar do të jetë edhe në Parlament edhe në terren, nuk ka më paqe për Edi Ramën dhe regjimin e tij kriminal. Drejtësia e re është vegël e regjimit", tha Noka.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë