Politike

Pas dënimit me burg, Salianji humb edhe mandatin e deputetit. Kush e pason në Kuvend

Gazeta Si - Ervin Salianji ka humbur edhe mandatin e deputetit pas vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila e dënoi këtë të enjte me 1 vit burg për kallëzim të rremë.

Avokati i tij, Redi Ramaj, tha për mediat pas vendimit se do të presin zbardhjen e vendimit për të parë rrugët ligjore që do të ndjekin, por neni 71.1 i Kushtetutës përcakton se deputeti e humb mandatin e tij kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi.

“Çështja është a është i formës së prerë? Sepse mund të jetë vetëm i ekzekutueshëm. Mund të shkohet edhe në Gjykatën e Lartë, që mund të vendosë edhe pezullim ose duhet të vendosë në terësi, në themel të çështjes dhe mund të kemi ndryshime. Duhet pritur rruga ligjore që  do marrë zbardhja e vendimit, do marrë ekzekutimi nga prokuroria dhe më pas rruga parlamentare”, - tha Ramaj.

Nëse Salianjit i ndërpritet mandati në çfarëdo lloj forme, automatikisht ose jo, emri që e pason në Kuvend, është demokrati Andrea Mano. Ky i fundit ka mbajtur detyrën e drejtuesit të PD në qytetin e Korçës.

Mano, i cili ka drejtuar më parë edhe degën lokale të PD në Korçë dhe ka kandiduar për postin e kryetarit të bashkisë në vitin 2011, pritet të jetë përfaqësuesi më i ri i demokratëve në Parlament.

Ai po ashtu njihet për një përplasje me Salianjin sa i përket listave të kandidatëve të PD në vitin 2021, ku Mano u rendit shumë poshtë në qarkun e Korçës duke mos pasur mundësinë të zgjidhet deputet.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë