Drejtësia

‘Babalja’, 1 vit burg për Ervin Salianjin. Apeli lë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë. Deputeti: Do ta bëj fushatën nga burgu. Dënimi i parë politik pas 34 vitesh demokraci

Gazeta Si - Gjykata e Apelit të Tiranës la në fuqi dënimin e Ervin Salianjit çështjen “Babalja”, i dënuar nga Shkalla e Parë me 1 vit burg për kallëzim të rremë në lidhje me përgjimet në maj të vitit 2018.

Gjykata e Shkallës së Parë vendosi se audio-përgjimi ishte inskenim dhe i shpalli fajtorë të 4 të pandehurit Fredi Alizoti, Albert Veliun, Jetmir Olldashi si dhe Ervin Salianjin.

Ky është një vendim përfundimtar dhe pritet që prokurori i çështjes të firmosë urdhër-ekzekutimin, sipas të cilit Salianji duhet të kryejë dënimin me një vit burg.

Me këtë vendim, Salianji preket dhe nga ligji i dekriminalizimit. KQZ pritet t'i heq mandatin aktual dhe e ndalon të jetë në listën e deputetëve, jo vetëm në zgjedhjet parlamentare të viti 2025, por dhe të 2029-ës.

Më pas, kjo do t’i dërgohet komisariatit përkatës për ta marrë e për ta dërguar Salianjin në Drejtorinë Vendore të Policisë së Tiranës. Nga aty, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve do të vendosë se ku do të vuajë dënimin Salianji.

Ervin Salianji është deputet dhe ka imunitet, por çfarë parashikon ligji? Neni 71, pika 2, shkronja dh, thotë se mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi.

Pas vendimit, Salianji tha para mediave se do të jetë në dispozicion të drejtësisë, ndërsa e cilësoi dënimin e tij si dënim politik. Ai theksoi se fushatën elektorale do të bëj edhe nga burgu.

"Pa diskutim do të ndjek procedurat e tjera gjyqësore. Kjo është një vendimmarrjes që nuk ndryshohet në gjykatat shqiptare. Fatmri Xhafaj kërkon të kapë ishuj të tjerë gjyqësore. Do të jem në dispozicion do të jem këtu. Do t'i anuloj të gjitha do të jem këtu dhe do të diskutoj për të gjitha. Unë do të jem në dispozicion dhe do ta bëj burgun ku të duan këta. Do të jem në dispozicion të bandave dhe nuk kanë se çfarë të më bëjnë asgjë. Do të jem në një fushatë të jashtëzakonshme, jam i dënuari i parë politik në 34 vite dhe do ta bëj fushatën nga burgu", - tha Salianji.

Salianji shtoi se ka "bërë shërbim të madh për interesin publik në çdo formë dhe mënyrë sido që të jetë. Nuk kam bërë betejë për veten, për interesa personale, për të vjedhur siç kanë bërë këta, për të vrarë, nuk kam bërë betejë për trafik droge, por kam bërë një betejë kundër trafikantëve të drogës, kundër maskarenjve në këtë vend".

Pak para vendimit të Apelit, kanë qenë të shumtë kolegët e Salianjit nga Partia Demokratike që e kanë shoqëruar në sallën e gjyqit teksa do të jepet verdikti.

Vetë deputeti dje, në një deklaratë tha për mediat se e konsideron procesin si montuar për ta goditur atë politikisht si përfaqësues i opozitës.

Ai tha më tej se nuk ka asnjë provë që e inkriminon atë, ndërsa tha se të gjithë emrat që ai i ka denoncuar i ka të faktuara me dokumente.

Në lidhje me këtë çështje, gjyqtari Artan Gjermeni i Gjykatës së Shkallës së Parë dënoi me 1 vit burg Salianjin më 18 Dhjetor 2019. Për kallëzim të rremë u dënua me 2 vite burg edhe Fredi Alizoti, i cilësuar si dëshmitari i rremë në audiopërgjim.

Albert Veliu, i njohur me nofkën “Babalja”, u dënua me 3 vjet e 5 muaj burg, për veprat penale kalim i paligjshëm i kufirit dhe kallëzim i rremë. Ndërsa për gazetarin Jetmir Olldashi, Gjykata vendosi që dënimin me 6 muaj burg ta konvertonte me 100 orë punë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë