Politike

Mandati i Xhaçkës në Kushtetuese, Komisioni i Venecias pranon kërkesën e Kuvendit për opinion. Shqyrtimi në 6-7 dhjetor

Gazeta Si – Komisioni i Venecias ka pranuar të shqyrtojë kërkesën e Kuvendit për mandatin e deputetes Olta Xhaçka në fillim të muajit dhjetor (datat 6-7).

Sipas njoftimit për shtyp të bërë të ditur nga ky institucion, kërkesa është parashtruar më 13 shtator nga kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali.

Spiropali, iu drejtua Presidentes së Komisionit të Venecias, Claire Bazy Malaurie, nëpërmjet së cilës i kërkooi opinion në lidhje me raportin midis demokracisë përfaqësuese parlamentare dhe detyrimit për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Në përgjigjen e saj, Presidentja e Komisionit të Venecias informon se kjo çështje është vendosur për shqyrtim në mbledhjen e Komisionit të datës 6-7 dhjetor 2024.

“E dashur Kryetare, Ju faleminderit për letrën tuaj të datës 13 shtator 2024, me anë të së cilës kërkoni opinionin e Komisionit të Venecias për raportin ndërmjet demokracisë përfaqësuese parlamentare dhe vendimeve detyruese të Gjykatës Kushtetuese, në kuadrin e rolit të Kuvendit në shqyrtimin e mocioneve për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit. Nëpërmjet kësaj letre konfirmoj gatishmërinë e Komisionit të Venecias për të përgatitur këtë opinion për miratim në seancën plenare të 141-të (6-7 dhjetor 2024). Dëshiroj t’Ju shpreh mirënjohjen time për besimin ndaj Komisionit të Venecias. Juaja sinqerisht, Claire Bazy Malaurie”, – thuhet në letrën e Presidentes së Komisionit të Venecias, Claire Bazy Malaurie, drejtuar kryeparlamentares Elisa Spiropali.

Pas 14 orësh seancë parlamentare, pas mesnate më 13 shtator deputetët u thirrën për të votuar mbi kolegen e tyre Olta Xhaçka.

Socialistët nuk votuan kundër, si dy herët e tjera, por pjesa më e madhe e tyre abstenuan, duke rrëzuar kështu për herë të dytë vendimin e Kushtetueses.

Kuvendi i Shqipërisë më 12 shtator nuk arriti të mbledhë votat e nevojshme për të dërguar në Gjykatën Kushtetuese vendimin mbi papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka.

Demokratët kërkojnë heqjen e mandatit të Olta Xhaçkës, duke pretenduar se bashkëshorti i saj, si investitor strategjik, ka përfituar pasuri publike dhe rrjedhimisht dhe vetë deputetja e qarkut të Korçës, çka bie ndesh me përcaktimet kushtetuese për deputetët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë