Politike

SPAK mbyll hetimet, Berisha del në konferencë: Proces politik, i bazuar në mashtrim  

Tërheqja e dosjes voluminoze nga avokatja e Sali Berishës ishte procesi i fundit procedurial i ndjekur nga SPAK për mbylljen e hetimeve lidhur me dosjen e privatizimit të klubit sportiv ‘Partizani’.

Vetë Sali Berisha nuk u paraqit në SPAK. Pas marrjes së dosjes nga avokatja e tij, Berisha zhvilloi një konferencë virtuale me mediat nga arresti shtëpiak  

Berisha akuzohet për "korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë" dhe "pastrim parash". Ai e ka kundërshtuar akuzën, duke e konsideruar proces të montuar politik nga kryeministri Edi Rama.

“Ky akt i paprecedent, i bazuar në një piramidë fund e krye mashtrimi, falsifikimi dokumentesh, manipulimi dhe fshehje të dokumenteve zyrtare, do gdhendet në muret e kohës si një nga veprat më të shëmtuara të narko-shtetit në Shqipëri.

Në këtë piramidë, prokurorët politikë të prokurorisë private të Edi Ramës kanë rreshtuar duke i shumëzuar për dy të gjitha mashtrimet e renditura në dokumentin me të cilin ata shpallën nën hetim Sali Berishën dhe Jamarbër Malltezin, dhe vendosën në shkelje të rëndë të Kushtetutës, Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe ligjeve të vendit, arrestin e tij në shtëpi, ndalimin e komunikimit të tij me çdo person tjetër përveç familjarëve të afërt dhe ndalimin e ndjekjes së punimeve të parlamentit si deputet i zgjedhur nga qytetarët, ndonëse pa asnjë masë dënimi siç kërkojnë ligjet për këtë vendim...”, tha Berisha për mediat


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë